Shkup, 9 tetor – Fshatrat e Tanushës, Malinës e Brezës në rrethinën e Malësisë së Karadakut, prej datës 13 shtator të këtij viti jetojnë pa rrymë e pa ujë. Rrjedhimisht, edhe nëpunësit policor në Karakollin e Pikës Kufitare në Tanushë, ballafaqohen me mungesë të rrymës dhe ujit për pije. Siç mëson gazeta KOHA, për këtë problem janë informuar të gjitha institucionet relavante, duke filluar nga EVN e deri te Ministria e Punëve të Brendshme. Por, rezultat gati edhe pas një muaji, ende nuk ka.
Premtimet e EVN-së, sipas banorëve të këtyre fshatrave malor, vazhdimisht po zvarriten. Dhe, zgjidhje s’ka. Ndërkohë, ujin për pijë si banorët, ashtu edhe nëpunësit e policor e kanë siguruar nga pompat, të cilat për momentin janë jashtë funksionit për shkak se mungon rryma. Burime të gazetës KOHA flasin se nga shfrytëzimi i ujit të pafiltruar gjatë kësaj periudhe në pushim mjekësor kanë shkuar tre nëpunës policor.
Ndërkohë, gjendja është bërë e padurueshme. Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski, thotë se MPB është e informuar për problemin, ndërsa thotë se uji dhe rryma në Karakollin e policisë aktualisht sigurohet me agregat.
“E vërtetë është se ka një defekt me rrymën. Por, në këto rrethana shfrytëzohen agregatet dhe aktivitet zhvillohen pa ndërprerë. EVN-ja është informuar dhe pritet zgjidhja e problemit. Po ashtu aspak nuk janë të vërteta lajmet se për shkak të ujit disa nëpunës policor kanë shkuar në pushim mjekësor”, tha Angellovski. (koha.mk)