Vazhdojnë luftimet në rajonin e Malësisë së –Karabakut si dhe shkëmbimi i akuzave mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për goditje me artileri në zona të banuara.
Autoritetet në rajonin Malësia e Karabakut thanë se raketat azerbajxhanase goditën qytetin e Martakertit dhe disa fshatra në rajonin e Martunit gjatë natës. Po sipas autoriteteve rajonale, 927 pjesëtarë të forcave të tyre ushtarake janë vrarë dhe mbi 30 civilë janë plagosur.
Azerbajxhani nuk e ka bërë publik numrin e viktimave ushtarake, por thotë se 63 civilë janë vrarë dhe 292 janë plagosur.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u bëri thirrje ministrave të jashtëm të dy vendeve të “ndalin dhunën dhe të mbrojnë civilët”.
Në një deklaratë pasi sekretari amerikan i shtetit zhvilloi takime të veçanta me homologët e të dy vendeve në Uashington, Departamenti i Shtetit tha se “Sekretari kishte theksuar edhe rëndësinë që të dyja palët të angazhoheshin në negociata serioze të mbikqyrura nga Bashkëdrejtuesit e Grupit të Minskut, në suazën e OSBE-së, në mënyrë që të gjenin një zgjidhje përfundimtare të bazuar tek parimet e Aktit Final të Helsinkit për të shmangur përdorimin e forcës, për të mbrojtur integritetin territorial dhe për të drejta të barabarta dhe vetëqeverisje për popullatën”.
Takimi në Uashington u organizua pas dy përpjekjesh të dështuara nga Rusia për të ndërmjetësuar një armëpushim në shpërthimin më të rëndë të dhunës në këtë rajon në më shumë se 25 vjet.
Sekretari Pompeo dhe udhëheqës të tjerë globalë po bëjnë thirrje për të ndalur luftimet, por Kryeministri armen Nikol Pashinyan tha të mërkurën se nuk sheh mundësi për një zgjidhje diplomatike në këtë fazë të konfliktit.
Sipas shifrave ruse, rreth 5000 njerëz janë vrarë që në fillim të konfliktit.