Maler me kritika deri te sekretari për drejtësi për shkak të raportit për Rusinë

Këshilltari i posaçëm në SHBA, Robert Maler, i cili ka hetuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane, i ka dërguar një letër prokurorit të përgjithshëm, Uiliam Bar, në të cilën thotë se përmbledhja e raportit të tij që është bërë publike “nuk e përfshinë në mënyrë të plotë kontekstin, natyrën dhe thelbin” e konkluzioneve të hetimit.

Gazeta “Uashington Post” thotë se e ka parë letrën të cilën Maler i ka dërguar prokurorit të përgjithshëm, Uiliam Bar.

Ndërkaq agjencitë botërore citojnë zëdhënësen e Departamentit të Drejtësisë, Keri Kupec të ketë thënë se Maler ka shprehur “frustrimin” ndaj prokurorit Bar për “mungesën e kontekstit” në përmbledhjen e raportit.

“Tani ekziston konfuzion në publik rreth aspekteve kritike të rezultateve të hetimit tonë”, citon letrën e Malerit gazeta “Uashington Post”.

Njoftimet vijnë para se prokurori Bar të paraqitet para Komitetit për Drejtësi të Senatit më 1 maj.

Këshilltari i posaçëm, Robert Maler, pas hetimeve 2 vjeçare, më 22 mars i dorëzoi raportin prokurorit të përgjithshëm, Uiliam Bar.

Bar më pas e bëri publike një përmbledhje të raportit në të cilën tha se gjatë hetimeve nuk është gjetur ndonjë e dhënë se presidenti Tramp apo fushata e tij kanë bashkëpunuar me përpjekjet ruse.

Disa ditë më vonë, Bar publikoi raportin e redaktuar për të cilin tha se hetimet e Malerit kanë gjetur të dhëna se Rusia ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.

“Pas gati dy vjetëve të hetimit, mijëra thirrjeve të detyrueshme për intervistim, dhe intervistimeve të dëshmitarëve, këshilltari special ka konfirmuar se Qeveria ruse ka sponsoruar përpjekjet për të ndërhyrë ilegalisht në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, mirëpo nuk ka gjetur se fushata e Trampit apo amerikanë tjerë kanë qenë pjesë e tyre”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit demokratë u ankuan se Bar qëllimisht minimizoi çdo zbulim që do të konsiderohej i dëmshëm për presidentin Tramp.

Komiteti për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve që kontrollohet nga demokratët ka lëshuar një thirrje për të marrë raportin e plotë të Malerit, duke thënë se një version i redaktuar “lë shumicën e Kongresit në errësirë”.(koha.mk)