I saktë, por sportiv, siç ishte në fushë, Paolo Maldini. Drejtuesi kuqezi komentoi ndeshjen ndaj Kaljarit, duke larguar menjëherë presionin që sheh kuqezinjtë si antiJuve.
“Jemi ende shumë larg të qenurit anti-Juve, por me siguri synimi është që ta çojmë këtë klub në nivelet më të larta. Jam dakord me fjalët e trajnerit, kjo skuadër ka probleme mentaliteti dhe është ky aspekt ku nevojitet puna më e madhe. Vijmë nga dy vende të gjashta, ndaj jam i bindur se rruga e këtij ekipi është ende e gjatë”. Maldini e njeh më së miri fushën dhe situatën, ndaj edhe nuk ngurron të japë “recetën” për kuqezinjtë.
“Duhet përshpejtuar procesi i rritjes së përvojës. Kemi ende shanse, fundja na e mundësojnë edhe rezultatet e ekipeve të tjera. Shumë lojtarë të organikës nuk kanë shpërthyer ende dhe nuk e dinë se sa shumë mund të japin akoma. Dialogu në të tilla raste është thelbësor, ndaj do të bëjmë të pamundurën ta vendosim ekipin në kushtet për t’u shprehur maksimalisht”.