Nuk është hera e parë, por nuk mund të jetë as e fundit. Milani po mendon seriozisht për Berat Gjimshitin. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane të cilat flasin për një këmbëngulje të drejtorit Maldini për shërbimet e mbrojtësit shqiptar.
Interesi i “Djallit” ka ardhur në rritje, sidomos pas dëmtimit të Mohamed Simakanit që ishte objektivi i deklaruar për këtë merkato dimri. Francezi i Strasburgut ka pësuar një dëmtim që do ta mbajë larg fushave për të paktën dy muaj dhe kjo ndërlikon ndjeshëm planet e Milanit për t’u përforcuar me mbrojtësin që së bashku me Kalulunë duhej t’i jepte frymëmarrje Romanjolit dhe Kjaerit.
Oferta e Milanit mund të joshë Gjimshitin që ka një kontratë deri në vitin 2023 me klubin aktual. Ai vlen 15 milionë euro, praktikisht e njëjta shumë që Maldini do të paguante për Simakanin. Kjo do të thotë që paratë nuk mungojnë, ndaj duhet gjetur akordi me homologët e Atalantës.
Duhet thënë se mes palëve pas çështjeve Kaldara, Konti apo Kesi, ekziston një raport pozitiv, ndaj drejtuesit e “Djallit” kanë më shumë se një arsye për të tentuar afrimin e mbrojtësit të kombëtares së Shqipërisë. Për shkak të investimit, Gjimshiti do të ishte alternativa e parë për të zëvendësuar njërin mes Kjaerit dhe Romanjolit, por edhe prestigji i Milanit si klub mund të tundojë djaloshin e lindur në Cyrih për të tentuar hapin e madh në karrierë dhe mundësinë për të qenë pjesë e një klubi historik dhe me shumë ambicie.