MALCOLM ME AKUZA NDAJ BASHKIMIT EVROPIAN: Dyfish presion mbi Kosovën se sa mbi Serbinë!

“Planin Ahtisari vendosën ta zbatojnë në mënyrë selektive. Ai plan kishte një aneks në të cilin thuhej se dosjet me çështje të trashëgimisë kulturore në arkivat e Beogradit do duhej të ktheheshin në Prishtinë. A kanë bërë ata ndonjëherë një përpjekje që kjo të ndodhë? Aspak. Ajo thjesht ka rënë ose përfshirë në çështjet ku të dy vendet duhet të arrijnë kompromis. Por në fakt kur thonë që të dy palët duhet të arrijnë kompromis, përshtypja ime është që ushtrojnë dyfish presion mbi Kosovën se sa mbi Serbinë…”, thotë Sir Noel Malcolm

 

Për pak muaj, Kosova shënon 15 vjet nga shpallja e Pavarësisë. Serbia, jo vetëm nuk e ka njohur ende si shtet, por përtej disa marrëveshjeve të firmosura e pak të zbatuara, e gjithë përpjekja e saj është përqendruar se si të mos ketë një marrëveshje finale, si të zhbëjë njohjet e Kosovës dhe se si të pengojë anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë, shkruan A2news. Sir Noel Malcolm, një prej studiuesve më të zëshëm të historisë së Ballkanit, autor i librit ‘’Kosova një histori e shkurtër” e sheh në faj Perëndimin për këtë situatë ku ndodhet sot Kosova. “Ajo që do thosha është se që nga 1998-a trajtimi i Kosovës nga palë të jashtme, ka qenë kryesisht zhgënjyes. Sigurisht ka pasur dukshëm momente të mira: çlirimi i Kosovës nga forcat e NATO-s, mbështetja finale për shpalljen e Pavarësisë në 2008-ën, diçka ekstremist e rëndësishme asokohe. Por në aspekte të tjera ishte zhgënjyese që Perëndimi asnjëherë nuk qe i koordinuar në një strategji për Kosovën”, ka thënë ai. Me shpalljen e pavarësisë, Malcolm shënon një mungesë edhe në sjelljen e vendeve të rajonit tonë.

“Një shembull i vogël, por që nuk është dhe aq i vogël. Duhej që të gjitha vendet e rajonit të dilnin në një deklaratë të përbashkët, ku të thuhej: ne e mirëpresim këtë zhvillim dhe ky është një hap i vërtetë dhe jo kërcënim për stabilitetin në rajon përkundrazi e shkuara ishte e tillë. Kjo deklaratë e përbashkët e vendeve të rajonit do të kishte pasur ndikim të madh në opinionin botëror. Ata nuk e bënë këtë dhe lanë palë të tjera si Rusia që ta konsideronin çështjen e Kosovës si një manipulim të vendeve të Perëndimit për interesat e tyre”.

Advertisements

Historia që nga miratimi i planit Ahtisari dhe deri sot tregon, sipas Malcolmit, se Serbia asnjëherë nuk është vënë në presion të barabartë me Kosovën, kur flitet për arritje dhe zbatim marrëveshjesh. “Planin Ahtisari vendosën ta zbatojnë në mënyrë selektive. Ai plan kishte një aneks në të cilin thuhej se dosjet me çështje të trashëgimisë kulturore në arkivat e Beogradit do duhej të ktheheshin në Prishtinë. A kanë bërë ata ndonjëherë një përpjekje që kjo të ndodhë? Aspak. Ajo thjesht ka rënë ose përfshirë në çështjet ku të dy vendet duhet të arrijnë kompromis. Por në fakt kur thonë që të dy palët duhet të arrijnë kompromis, përshtypja ime është që ushtrojnë dyfish presion mbi Kosovën se sa mbi Serbinë. Në kuadër të planit Ahtisari Kosova ka bërë shumë lëshime sa u përket të drejtave të serbëve që jetojnë në territorin e saj dhe ndaj Prishtinës vazhdojnë të kërkojnë lëshime, duke e lejuar Beogradin që të bëjë dhe më shumë kërkesa”, ka shtuar ai. Por nëse i japim të drejtë shprehjes që çdo e keqe e ka një të mirë, Malcolm shpreson që ky të jetë rasti i mësimeve nga lufta në Ukrainë.

“Nëse ka një ngushëllim… një ngushëllim të vogël nga lufta e tmerrshme në Ukrainë, është që Perëndimi të jetë zgjuar; të jetë në alarm tashmë ndaj strategjisë ruse në Ballkan. Shpresoj në rikthimin e vëmendjes së amerikanëve në Kosovë, një vëmendje e larguar pas 2008-ës. Po shpresoj që vendet perëndimore të jenë më të përqendruara në rajon”.