Shkup, 24 korrik – Bashkëpunimi bilateral në mbrojtje mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë është në nivel jashtëzakonisht të lartë, përfunduan në takimin e sotëm në Shkup, zëvendësministri i Mbrojtjes Bekim Maksuti dhe drejtori për politikë të mbrojtjes në Ministrinë austriake të Mbrojtjes, gjeneral major Johan Frank.
Nga Ministria e Mbrojtjes informojnë se zëvendësministri Maksuti në kontekst të anëtarësimit në NATO ka theksuar se procesi i ratifikimit të Protokollit për anëtarësim po rrjedh me tempo jashtëzakonisht të shpejtë dhe ka shfaqur shpresë se Bashkimi Evropian do të sjellë vendim pozitiv për negociatat për inkuadrim, duke pasur parasysh progresin i cili është bërë në periudhën e kaluar.
“Austria është njëra nga vendet më të rëndësishme për ne dhe Ju falënderoj për gjithë përkrahjen në procesin e reformave dhe zhvillimit, veçanërisht në sferën e mbrojtjes”, ka theksuar Maksuti, duke shtuar se reformat në mbrojtje po lëvizin me tempo të shkëlqyer dhe se ky është rezultat edhe i mbështetjes nga vendet partnere dhe mike si Austria.
Gjenerali austriak e ka konfirmuar mbështetjen austriake për fillimin e negociatave për anëtarësim të vendit tonë me Bashkimin Evropian dhe ka shfaqur shpresë se anëtaret e Unionit do të arrijnë koncensus për hapjen e negociatave për anëtarësim me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Delegacioni i kryesuar nga gjenerali Frank por qëndron në shtetin tonë, në kuadër të konsultimeve bilaterale vjetore për politikën e mbrojtjes. Plani për bashkëpunim bilateral në sferën e mbrojtjes për këtë vit përfshin gjithsej 22 aktivitete, me fokus në bashkëpunimin e akademive ushtarake dhe forcave speciale.