Me reformat e propozuara brenda BE-së, Franca kërkon që integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane të bëhet në shtatë faza dhe jo me kapituj siç ishte deri tani. “Non-Paperi” i dorëzuar nga Makron përmban katër kushte të reja, të cilat duhet t’i shtohen procesit të zgjerimit në reformimin e saj. Ambasadori i francez në Shkup në prononcim për gazetën KOHA thotë se ky dokument do ti mundësojë Maqedonisë së Veriut reforma strukturore dhe jo sipërfaqësore
Destan JONUZI
Shkup, 18 nëntor – Republika e Francës të gjithë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) ua ka dërguar të ashtuquajturin “Non-Paper” me të cilin kërkon një qasje të re në procesin e zgjerimit të unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Franca, po ashtu ka kërkuar nga BE që, deri në janar të vitit 2020, të miratojë Metodologjinë, e cila do të aplikohet gjatë hapjes së bisedimeve me vendet kandidate, shkruan gazeta KOHA.
“Lidhjet e ngushta me BE-në janë mënyra e vetme që këto shtete të konsolidohen në bazë të sundimit të ligjit dhe pluralizmit shoqëror, si dhe të merren më seriozisht me çështjet ekonomike dhe sociale”, thuhet mes tjerash në “Non-Paper”-in francez. Sipas pozicioneve franceze, e ashtuquajtura qasje rinovuese bazohet në katër shtylla: përafrimi gradual, kushte të rrepta, përfitime të prekshme dhe mundësi të kthimit të procesit.
“Kur hapen bisedimet njëherë, më tej procesi i integrimit nuk bazohet në hapjen e një numri të madh kapitujsh, por në disa faza do të formohen korniza politike koherente të cilat do ti cakton BE-ja, duke u bazuar në specifikat e çdo vendi kandidat”, shkruan në dokument. Sundimi i së drejtës dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, sipas propozimit francez, bëhen kërkesa integrale që nga momenti i hapjes së bisedimeve e deri në mbylljen e tyre, në të gjitha fushat. Gjithashtu propozohet mundësia që kalimi nga një fazë në tjetër kryesisht të bazohet në të arriturat në sferën e sundimit të drejtësisë, ndërsa propozim kyç është në miratimin e parimit të kthyeshmërisë, sepse vlerësohet se kjo do ta sigurojë besimin dhe natyrën inkurajuese të procesit.
Sipas Parisit, parimi i tillë është i domosdoshëm në situata kur vendi kandidat pjesërisht ose aspak nuk përmbush kritere të caktuara ose ka ndaluar që t’i ndërmarrë detyrimet e ndërmarra. Në rast të tillë përgjigja evropiane do të mund të lëvizë nga ndalimi i ndihmës financiare deri në suspendimin e përgjithshëm, në rast që të sillen në pikëpyetje vlerat bazike të BE-së.
Me non-pejperin parashihet ndihmë financiare shtesë në periudhën para anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor, që do të nënkuptonte më shumë instrumente para anëtarësimit dhe qasje deri te fondet strukturuese të cilat tani janë rezervuar vetëm për vendet anëtare të BE-së.
Vendet kandidate, sipas propozimit, detyrimisht duhet ti kenë të harmonizuara përformanset e tyre institucionale dhe administrative me nevojën e pjesëmarrjes efektive në politika të ndryshme, ndërsa për kyçje përfundimtare – do të duhet të vendoset në bazë të arriturave ekonomike dhe konvergjencave sociale. Franca në propozimin e saj parasheh edhe ndihmë financiare në procesin para anëtarësimit në BE të për vendet e Ballkanit Perëndimor, që nënkupton më shumë fonde paraqasëse, por edhe qasje në fondet strukturale të cilat për momentin janë të rezervuara vetëm për vendet anëtare të unionit.
Këtë dokument e ka marrë edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila do ta fillojë analizimin e hollësishëm të së njëjtit, me qëllim që institucionet të japin kontributin e tyre në metodologjinë integruese. Për Qeverinë, “Non-Paper”-i francez është për t’u përshëndetur, sepse siç thonë prej atje, është e mirëseardhur secila ide e cila do të kontribuojë për fillimin më të shpejtë të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe e cila do t’i bëjë negociatat më efikase, më thelbësore dhe më të besueshme. “Është shumë me rëndësi që kornizën të cilën e propozon Franca e konfirmon anëtarësimin në BE si qëllim kryesor dhe final në procesin që për ne është kusht i domosdoshëm që të shqyrtohet”, thonë nga Qeveria.
Nga ana tjetër, ambasadori i Francës në Shkup, Kristijan Timonie në prononcim për gazetën KOHA, thotë se “Non Paper”-i francez do ta lehtësojë rrugën e Maqedonisë se Veriut drejt anëtarësimit të plotë në BE. “Mendoj se ky dokument do ta bëjë rrugën tuaj më të sigurt nëse dakordoheni me rekomandimet e propozuara. Përmasa është më e ngurtë, por është garanci për qytetarët që reformat do të jenë strukturore, jo sipërfaqësore. Madje, në çdo hap të bazuar mbi këtë dokument fiton Maqedonia e Veriut”, deklaroi Timonie. Ndërkaq, sipas liderit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, Metodologjia e re e BE-së paraqet kornizë hollësitë e së cilës në mënyrë shtesë do të precizohen dhe konfirmohen.
Ndryshe, “Non Paper”-i francez vjen një muaj pas mosdhënies së datës për fillimin e negociatave për Shkupin dhe Tiranën në Samitin e tetorit të BE-së në Bruksel. Dokumenti është në fazën e shqyrtimit dhe për të duhet të deklarohen të gjitha vendet anëtare. Ndërsa, Samiti i radhës i BE-së duhet të mbahet në muajin maj të vitit të ardhshëm në Zagreb.
ÇFARË PËRMBAN “NON PAPER” I FRANCËS
– Përafrimi gradual, ku tashmë procesi nuk do të zhvillohet më mbi kapituj, por mbi disa faza që shteti duhet t’i kalojë sipas radhës.
– Kushtet e rrepta, të cilat do të vendosen për çdo fazë për shtetet kandidate. Indikatorët do të merren nga të gjitha institucionet europiane në fushat përkatëse dhe kryesore paraqitet situata në fushën e drejtësisë.
– Përfitime të prekshme, ku theksohet domosdoshmëria se përveç përfitimeve që vijnë nga pjesëmarrja graduale në politikat e BE-së, rritja e mbështetjes financiare do të shtohet edhe më tej për të shmangur influencat e huaja.
– Mundësi e kthimit të procesit, ku theksohet se një parim i kthyeshmerisë duhet të vendoset për të adresuar situatat me të cilat vendi kandidat, tërësisht ose pjesërisht, nuk plotëson më kritere të caktuara ose pushon së përmbushuri zotimet që ka ndërmarrë. Themelet bazë të procesit mbeten të drejtat dhe liritë e njeriut, sundimi i së drejtës dhe gjyqësori.
Dokumenti parasheh që fazat e integrimit gradual të zhvillohen në atë mënyrë që nuk mund të merrni pjesë në politikat evropiane të një faze, nëse nuk kalon fazën paraprake.
FAZA E PARË parasheh reforma në gjyqësor, të drejtat themelore, drejtësi, liri dhe siguri
FAZA E DYTË ka të bëjë me edukimin dhe kulturën, politikën e transportit, energjinë dhe mjedisin
FAZA E TRETË është politika sociale dhe punësimi, shëndeti, mbrojtja e konsumatorit dhe politika e konkurrencës
FAZA E KATËRT ka të bëjë me ekonominë, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbime financiare, politika ekonomike dhe monetare, statistika dhe kontrolli financiar
FAZA E PESTË është për tregun e brendshëm, bujqësinë dhe peshkimin në ë cilën përmendet bashkimi doganor, lëvizja e lirë e mallrave, lëvizja e lirë e punëtorëve, Siguria e ushqimit, veterinari dhe politika financiare, Media dhe shoqëria e informacionit
FAZA E GJASHTË ka të bëjë me politikën e jashtme, marrëdhëniet e jashtme, siguria dhe mbrojtja e jashtme, si dhe
FAZA E SHTATË është për çështje të tjera në të cilën përmenden çështjet financiare dhe buxhetore, marrëveshjet, institucionet. (koha.mk)