Presidenti francez Emanuel Makron sot nuk deshi t’i komentojë sulmet e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, të publikuara në Tuiter.
Pallati i Eliseut i pyetur për tuitet e Trampit kumtoi se nuk ka çka të thotë në këtë temë, duke shtuar se Makroni të shtunën në Paris i sqaroi Trampit gjithçka për armatën evropiane dhe mbrojtjen evropiane.
Tramp sot në disa tuite “e sulmoi ” presidentin francez Makron për shkak të hapave “jokorrekte” tregtare.
“Kjo duhet të ndryshojë”, ka shkruar Tramp, duke shtuar se Makroni ka “rejting të ulët” dhe për këtë shkak “kalon në tema tjera”.
Presidenti amerikan u përqëndrua edhe në propozimin e Makronit për krijimin e ushtrisë evopiane me qëllim që të mbrohet Evropa nga Rusia, nga Kina dhe nga SHBA-ja.
“Makroni sygjeron se Evropa duhet të ndërtojë armatë të veten që ta mbrojë kontinentin nga SHBA-ja, nga Kina dhe nga Rusia. Megjithatë, Gjermania ishte ajo kundër së cilës luftuan në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Si kjo funksiononte për Francën? Francezët në Paris duhej të mësonin gjuhën gjermane para se të vinin amerikanët. Paguani për NATO-n ose jo”!, ka shkruar Tramp në Tuiter.
Presidenti amerikan disa herë ka përsëritur se vendet anëtare të Aleancës nuk paguajnë mjaftë në buxhetin e NATO-s, si dhe se nuk është korrekte që më së shumti mjete të ndahen nga ana e SHBA-së.