Strasburg/Bruksel, 28 maj – Presidenti francez Emanuel Makron vlerëson se komisarja evropiane për konkurrencë, danezja Margaret Vestager, negociatori kryesor për Bregzitin, francezi Mishel Barnie dhe nënkryetari aktual i Komisionit evropian, holandezi Frans Timermans janë personalitetet me përvojë dhe kredibilitet, mes të cilëve duhet të zgjedhet kryetari i ardhshëm i Komisionit Evropian, njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Strasburgu.
“Mendoj se duhet t’i marrim parasysh rezultatet nga votimi dhe atë qe e tha populli evropian. Duhet të kemi bartës të vendimeve, të cilët kanë kredibilitet që të mund të veprojnë”, deklaroi shefi i shtetit francez pas arritjes në Bruksel në Samitin joformal të BE-së, ku do të bisedohet për përcaktimin e pozitave kyçe në Bashkimin Evropian, në vetëm dy ditë pas zgjedhjeve.
I pyetur nëse në lojë për kryetar të Komisionit Evropian është Margaret Vestager, Makron tha se ajo është një nga kandidatet, si dhe Barnie dhe Timermans.
“Por, unë nuk dua që sot të kemi debat për emra. Dëshiroj të kemi debat për projekte, prioritetet dhe kriteret. Është e domosdoshme që kandidatët t’i realizojnë ambiciet evropiane dhe të kenë përvojë ta bëjnë këtë, pasi do të marrin përgjegjësi në nivel të Evropës. Do të thotë duhet të kenë përvojë ose në vendet e tyre ose në Evropë, që do t’u mundësojë të kenë kredibilitet”, shtoi Makron.
Edhe pse në deklaratë Makroni drejtpërdrejtë nuk e ka përmendur Manfred Veberin, anëtarin e Unionit Social Kristian të Gjeramnisë (CSU), i cili është kandidat i Partisë Popullore Evropiane (EPP) për kryetar të Komisionit Evropiane dhe i cili e ka përkrahjen e kancelares gjermane Angela Merkel, megjithatë kriteret e tilla të presidentit francez e diskualifikojnë gjermanin, pasi ai asnjëherë nuk ka qenë ministër në vendin e tij, as komisar evropian.
Qëndrimi i tillë i Makronit do të mund të thotë mosmarrëveshje të reja në relacionin Paris – Berlin.