Kryetari i Francës, Emanuel Makron ka pranuar se në takimin e mbrëmshëm ka patur shumicë të vendeve për fillim të bisedimeve me Maqedoninë, por jo edhe për Shqipërinë. Ai gjithashtu ka pranuar se ka qenë kundër ndarjes së të dyja vendeve. “Dhënia e dritës së gjelbër Maqedonisë së Veriut pa Shqipërinë do të ishte gabim politik vdekjeprurës, ndërsa ai ka qenë konsensusi i vetëm i mundshëm, do të shihnim lëvizje politike dhe sociale me dhuna të jashtëzakonshme, jo vetëm te etniteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut por tek të gjitha vendet ku janë shqiptarët”, është shprehur Makron, transmeton koha.mk.
Kryetari Francës në fjalimin e tij të parë të dhënë para opinionit pas bllokimit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mbrëmë, porositi që anëtarësimi i plotë në BE, nuk duhet të jetë më politika e vetme e vendeve në fqinjësi me BE-në, duke e sjellë për herë të parë publikisht në pyetje të ardhmen evropiane dhe perspektivën e vendeve të Ballkanit perëndimor të dhënë në Selanik në vitin 2003. “Kemi biseduar për pikëpamjet e secilit prej neve për Evropën, unë nuk konsideroj që zgjerimi është politika e vetme ndaj fqinjësisë”, tha Makron, duke shtuar se BE nuk funksionon siç është tani.
Ai theksoi se me “këto vende” duket të kihet “axhendë strategjike”, por dhe se nuk është e domosdoshme që ato të jenë vende anëtare të ardhshme të BE-së. Makron ka përsëritur nevojën për reforma të procesit të bisedimeve me vendet kandidate dhe kërkoi që ai të jetë reversibil, gjegjësisht të mund të jetë i ndaluar. Kryetari i Francës ka përshëndetur përpjekjet e kryeministrit Zoran Zaev për Marrëveshjen e Prespës dhe për ndryshimet kushtetuese. “Ato ndryshime kanë qenë pjesë e kërkesave të BE-së, por shumë vende kanë qenë të rezervuara, jo sepse nuk ka përparim, përparim ka, por ka jokoherencë, mes tjerash në lidhje me migracionin dhe respektimin e rregullave të caktuara”, është shprehur Makron. (koha.mk)