Paris, 10 korrik – Për shkak të faktit se normalizimi i marrëdhënieve mes Prishtinë dhe Beogradit është shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, si dhe për perspektivën e tyre evropiane, presidenti francez Emanuel Makron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel shprehen gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e dy palëve dhe BE-së në gjetjen e zgjidhjes.
Në kumtesë, gjithashtu thuhet se negociatat do të fillojnë më 12 korrik, së pari përmes video konferencës nga të dy palët, dhe më pas më 16 korrik, do të realizohet takimi i parë, në fakt dialogu, në Bruksel. Takimet do të organizohen nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Xhosep Borrell dhe i dërguari special i BE-së për Dialog dhe Çështje Rajonale në Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.
Siç thuhet në kumtesën e përbashkët të nikoqirëve të video samitit të sotëm, Makron dhe Merkel janë të gatshëm të riorganizojnë samit si i sotmi, nëse nevojitet edhe në të ardhmen.
Në video samitin e sotëm morën pjesë kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Xhosep Borrell dhe i dërguari special i BE-së për Dialog dhe Çështje Rajonale në Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.
Hoti dhe Vuçiq ranë dakord të vazhdojnë dialogun, i cili u pezullua në nëntor të vitit 2018. Ky dialog, qëndron në kumtesë, do të vazhdojë të mbështetet nga BE në mënyrë që të normalizojë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit përmes marrëveshjes gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe detyruese.
Kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb kanë rënë dakord të rrisin përpjekjet në shumë fusha në korniza të Procesit të Berlinit, si masë e rëndësishme e vendosjes së besimit.
Makron dhe Merkel inkurajojnë Hotin dhe Vuçiqin të bëjnë përparim të rëndësishëm në negociatat në muajt e ardhshëm.