Presidenti francez Emanuel Makron ka realizuar bisedë telefonike me presidentin amerikan të cilit ia ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes për armë bërthamore nga periudha e Luftës së Ftohtë, për të cilën Tramp paralajmëroi tërheqjen e SHBA-së.
“Presidenti i Republikës e theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshje, veçanërisht për sigurinë evropiane dhe stabilitetin tonë strategjik, qëndron në kumtesën e Kabinetit të presidentit francez.
Makron dhe Tramp kanë biseduar edhe për vrasjen e gazetarit saudit Xhemal Kashogi dhe për situatën në Siri.
Edhe Kina sot e vlerësoi si “hap të gabuar” vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërheqjen e njëanshme nga marrëveshja e rëndësishme e kohës nga Lufta e Ftohtë me të cilin nga Evropa ishin eliminuar raketat bërthamore.
Kina është kundër këtij akti, kumtoi zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Hua Çunjing, në konferencën e rregullt për shtyp.
Presidenti amerikan Donald Tramp dje kumtoi se SHBA-ja do të tërhiqet nga Marrëveshja me Rusinë për likuidimin e raketave me rreze të mesme veprimi, sepse, siç tha, Moska e shkel marrëveshjen.
“Rusia e shkel Marrëveshjen. Ata e shkelin me vite. SHBA-ja nuk do t’iu lejon edhe më tutje që ta shkelin marrëveshjen bërthamore”, deklaroi Tramp në tubimin në qytetin Elko në shtetin federal amerikan Nevada, në vigjilje të zgjedhjeve për Kongresin e SHBA-së më 6 nëntor.
Marrëveshja është nënshkruar në vitin 1987 ndërmjet SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik të atëhershëm, trashëgimtar ligjor i të cilit është Rusia. Marrëveshjen e nënshkruan presidenti i atëhershëm amerikan Ronald Regan dhe lideri i fundit sovjetik Mihajl Gorbaçov. Me të parashihet ndalesa për prodhimtari, testim dhe shpërndarjen e raketave bërthamore dhe konvencionale me rreze veprimi prej 500 deri 5.500 kilometra të cilat lansohen nga toka.