Presidenti francez, Emanuel Makron bëri thirrje për “kthim të paqes”, sepse sipas tij lëvizja e “jelekëve të verdhë” tashmë “nuk është e kuptueshme për një numër të madh të njerëzve”, mu para protestave të nesërme të 16-ta me radhë të lëvizjes, e cila kërkon drejtësi më të mirë sociale dhe fiskale, lajmëroi korrespondenti i MIA-s.
I pyetur nga ana e përfaqësuesve të zgjedhur zyrtarë nga rajoni i Bordosë për debatin e përgjithshëm dhe të cilët angazhohen për ndalesë të protestave apo për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti Makron sqaroi përse e hedhë poshtë mundësinë që të ndalohen protestat në nivel nacional.
“Nuk shpallet gjendje e jashtëzakonshme kur ka tensione sociale në vend, ky do të ishte gabim”, u përgjigj presidenti. Ndërkaq sa i përket ndalesës për protesta, kjo sipas tij, “nuk do t’i qetësojë tensionet”.
“Vendi ka nevojë për kthim të paqes, sepse situata në të cilën jetojmë nuk është e kuptueshme nga ana e shumë bashkëqytetarëve tanë”, tha presidenti.
Ai nuk e hodhi poshtë mundësinë për ndalesa të protestave në nivel lokal, siç ishte rasti në të kaluarën, posaçërisht në Ren.
Shefi i shtetit francez konsideron se zgjidhja e vetme për vënien fund të protestave është “gjykimi dhe morali kolektiv”.
“Secili duhet të jetë i vetëdijshëm për atë çka bën”, theksoi Makron. “Sanksionet do të përforcohen, tani secili duhet t’i kthehet maturisë”.
Të shtunën e kaluar në Francë protestuan rreth 46.000 persona, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.(koha.mk)