Vetëm një ditë pasi bëri betimin si president i ri i Francës, Emanuel MaKron udhëton drejt Gjermanisë, vizitë kjo e cila pritet me interes të madh. Vizita e shefit të ri të Elizesë të hënën në Berlin konsiderohet e një rëndësie simbolike, sepse nënkupton përpjekjet për rifillimin e projektit europian.
Axhendën e takimit me Merkel do ta mbizotërojnë një sërë projektesh të destinuara t’i japin bllokut një shtysë të re. Tashmë është kthyer gati në traditë, që udhëtimin e parë jashtë kufijve, presidentët e rinj francezë ta bëjnë në Gjermani, megjithatë Merkel dhe Macron duket se i kishin tashmë themelet e marrëdhënies së tyre.
Kancelarja ishte ndër të parët udhëheqës të huaj që e telefonuan për t’i uruar fitoren, e kërkon ndihmën e tij në vënien në lëvizje të mekanizmit evropian në vështirësi. Edhe Merkel mori një mbështetje bindëse për vazhdimësinë në këtë post, pas triumfit të CDU-së në njërin prej landeve më të mëdha të vendit, North Rhine-Westphalia. Për 46 vite, ky rajon është qeverisur nga socialdemokratët. CDU ka mundur ta drejtojë për vetëm 5 vite, nga 2005 deri në 2010.
“Martin Shulz e frikësoi shumë Merkelin”, shkruanin mediet vendase, por ama për një kohë të shkurtër. Vota e së dielës në North Rhine-Westphalia shihej gjërësisht si test për zgjedhjet federale të shtatorit, ku Merkel kandidon për një mandat të katërt qeverisës.