Driton ZENKU
Gostivar, 1 mars – Zonat e qytetit ku janë të ndërtuara objekte kolektive banesore, karakterizohen me praninë e automjeteve të nxjerra nga përdorimi dhe të lëna në mjediset publike, shkruan gazeta KOHA. Makina të tilla vërehet sidomos në parkingjet e banesave kolektive. Prania e tyre për një kohë më të gjatë, paraqet pengesë të madhe për lëvizjen e qytetarëve. Kjo dukuri erdhi në shprehje sidomos viteve të fundit, me mundësinë për të sjellë automjete nga shtetet e tjera. Sipas ligjit, të gjitha shoferët të cilët prej kohësh i kanë lënë makinat e tyre të parkuara në rrugë dhe mjedise të tjera publike, obligohen të njëjtat t’i largojnë. Nga organet e rendit sqarojnë që: “Çdo makinë e parkuar që nuk është në përdorim ose është e shpallur në shitje, do të zhvendoset me karrotrec drejt pikave të bllokimit”. Nga ky nivel apelojnë tek qytetarët që t’i largojnë nga rrugët, trotuaret dhe zonat e trafikut publik, të gjitha automjetet e vjetra e të nxjerra nga përdorimi por edhe drunjtë për ngrohje si dhe të gjitha materialet e tjera të lëna ndërkohë në hapësirat publike. Në këtë formë, qytetarët do të kontribuojnë për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve. “Ky fakt, njëherësh rrit edhe sigurinë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, qofshin ato këmbësorë , automjete e tjerë”, thonë nga sektori për siguri në komunikacion, nga ku apelojnë deri tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat ligjore. Sipas përllogaritjeve, në Gostivar qarkullojnë 1100 makina të vjetra dhe problematike për shëndetin, por ato ende nuk janë të çregjistruara. Disa prej këtyre makinave janë çuar për skrap, ndërsa të tjerat janë pjesë kryesore e materialeve bazë me të cilat merren bizneset që grumbullojnë automjete jashtë funksionit. Për çdo pronar automjeti që nuk do të zbatojë këtë ligj, thotë ai, duhet të ndërmerren gjoba nga Inspektorati i Mjedisit apo edhe institucionet e tjera kompetente. Eksperti i komunikacionit, Agim Mustafai pohon për KOHA që askush prej zotëruesve të makinave të vjetra nuk do mundet t’i braktisë ato ku të mundet, apo t’i çojë në vendet e grumbullimit të tyre.
“Pronarët që nuk i përdorin makinat e vjetra, do t’u duhet të pajisen me një certifikatë të posaçme që u njeh atyre të drejtën e shkatërrimit të automjetit, një proces ky që do të kryhet nga një komision i posaçëm. Së shpejti askush prej zotëruesve të makinave të vjetra nuk do mundet t’i braktisë ato ku të mundet, apo t’i çojë në vendet e grumbullimit të tyre”, thotë eksperti i komunikacionit, Agim Mustafai. Sipas tij, një ligj i posaçëm duhet të detyron pronarët e automjeteve që nuk i përdorin të mos i braktisin ato pa marrë më parë certifikatën e shkatërrimit. “Kodi Rrugor duhet të jetë obligim që pronari i fundit i mjetit duhet të kryejë procedurën e çregjistrimit. Por çregjistrimi nuk mund të quhet i finalizuar, nëse nuk ka kaluar më parë procesin e shkatërrimit të makinës. Shkatërrimi nënkupton që ajo makinë merr fund në funksionin e saj dhe për këtë duhet të krijohet një strukturë tjetër, një skemë tjetër e mënyrës sesi do të lëshohet certifikata e shkatërrimit”, pohon ai. “Për makinat në fund të jetës”, thotë Musafai duhet që të disiplinohet tregu, duke hequr nga tregtimi të gjitha pjesët e rrezikshme të makinave që përmbajnë substanca të rrezikshme, siç është plumbi, zhiva, kadmiumi dhe kromi 6 valent. “Operatorët që do të merren me këtë biznes duhet që të kenë të gjitha certifikatat që tregojnë se ky automjet ka dalë nga qarkullimi dhe ku do të jetë destinacioni i tij final, një formë kjo që do të shërbejë për të shmangur edhe abuzimet e ndryshme që mund të jenë kryer me këto automjete”, shton ai. Ka edhe raste ku automjete të cilat “ekspozohen” me njoftimin “për t’u shitur” mbeten për kohë të gjatë në parkim. E njëjta vlen edhe për pronarët e këtyre makinave.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.