Nga Emin AZEMI
Arsyeja e shkarkimit të Kryeprokurorit të Përgjithshëm, Marko Zvërlevski, nga shumica e tanishme parlamentare, që u bë në gusht të vitit të kaluar, kishte në thelb pakënaqësitë e shumta që lidheshin kryekëput me afërsitë e tij me ish pushtetin e Nikolla Gruevskit. Ishte e gjatë lista e pakënaqësive në adresë të Zvërlevskit, kurse kauza politike e kryeministrit të tanishëm dhe partisë së tij kishte si lajtmotiv çmontimin e sistemit të gruevizmit në gjyqësi dhe në të gjitha birucat e mekanizmave institucional. Pushteti aktual ka ndërmarrë edhe aksione të tjera çmontuese, që mund të shihen edhe në hapësirat publike të Shkupit, ku mëngjeset gdhijnë pa figurat kontroverse, siç ishte ai farë Qose, një harambash provincial që paska therr me thikë kundërshtarët politikë.
Tani, shtrohet pyetja nëse Zaevi po e çmonton gruevzmin në favor të kauzës së tij politike, apo këtë po e bën në mënyrë selektive, duke lënë frymën grueviste në disa segmente të caktuara të jetës institucionale te ne?
Ose, pse shqiptarët nuk kanë arsye t’iu gëzohen aq shumë reformave në sistemin e institucioneve të drejtësisë, nëse edhe pas këtyre ndryshimeve politike, gjendja vazhdon të jetë e njëjtë, madje edhe më drastike, me shkelje e precedente të shumta juridike, siç mund të shihet edhe në rastin e vrasjes së djaloshit kumanovar Almir Aliu nga Boban Iliq, i po të njëjtit qytet.
Si ta pranojnë shqiptarët kryeprokurorin e ri të shtetit Lubomir Jovevski, si personifikim të ndryshimeve dhe reformave, kur praktikat e tij juridike nuk ndryshojnë as edhe një milimetër nga ato të pararendësit të tij, Zvërlevskit. Ai mund të arsyetohet se lënda për rastin e Almir Aliu ka qenë e procesuar para se ai të vinte në postin e tanishëm, mirëpo ky është vetëm një justifikim teknik, ndërkohë që mbetet për tu shqyrtuar mundësia nëse ai ka qenë dashur të pajtohet plotësisht me pararendësit e tij që vrasja me paramendim e Almir Aliut të trajtohet me vendim të ri (në kohën kur ai ndodhej në postin e Kryeprokurorit) nga Prokuroria republikane si “aksident komunikacioni” dhe refuzim të kërkesës së familjes dhe palës mbrojtëse për përjashtimin e prokurores së Kumanovës, Suzana Kusigerska nga ky proces kontrovers gjyqësor.
Nëse plotfuqishmëria e vendimit të Prokurorisë Republikane e datës 27 dhjetor të vitit të kaluar vazhdon t’i japë atribute të aksidentit të komunikacionit një vrasjeje të qëllimshme që ndodhi në Kumanovë, para më shumë se një vit, atëherë fryma e gruevizmit po tregohet shumë e fuqishme në instalimin e praktikave arbitrare që janë të orientuara kundër qytetarëve shqiptarë. Mbrojtja me kaq këmbëngulje nga prokurorët e një vrasësi me paramendim, dhe pafuqia e politikës shqiptare, përfshi edhe përfaqësuesit shqiptarë nëpër këto institucione të drejtësisë, për të penguar këto praktika juridike me dy standarde, një për maqedonasit dhe një tjetër për shqiptarët, flet për një filozofi bizantine të veprimit institucional antishqiptar, që mund të rezultojë në dëshpërim kolektiv kundrejt bartësve të kësaj filozofie.
Procesi i çmontimit të përmendoreve dhe zëvendësimit të funksionarëve të vjetër me të rinj, do të vazhdojë të tingëllojë si farsë nëse krejt ky proces nuk i përfshin të gjitha kategoritë sociale, etnike, fetare, në mënyrë që efekti e këtij procesi të mos reflektohet në ndryshimin e qasjes dhe në trajtimin e barabartë të të gjithëve pa dallime e pa paragjykime.
Jeta në demokraci përmban interesa mikrokosmike të njerëzve me fate e rrugë jetësore nga më të ndryshmet. Një shqiptar që ka mbetur pa fëmiun e tij si pasojë e vrasjes makabre nga ana e një bashkëqytetari maqedonas, nuk do të mundet asnjëherë të jetë lojal ndaj këtij pushteti nëse atij ia vritni fëmijun për herë të dytë, tani në formë edhe më të vrazhdë, me vulën e një sistemi që arbitrarisht, pa marrë në konsideratë fakte e dëshmi, mund të bluaj fate njerëzish në makinën e pamëshirshme të (pa)drejtësisë me dy standarde. (koha.mk)