Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e artë në grand slamin e Abu Dhabit, për herë të dytë në karrierë, pasi e mundi xhudisten italiane Odette Giuffrida në finalen e kategorisë deri 52 kilogramë të enjten.
Xhudistja kosovare e mposhti italianen pas një lufte të ashpër dhe dërrmuese në kohë shtesë, duke triumfuar me ippon në Emiratet e Bashkuara Arabe për herë të dytë në karrierë pas së artës më 2014, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Në një përsëritje të finales së Lojërave Olimpike Rio 2016, Kelmendi doli më e mirë se Giuffrida përsëri, duke e fituar medaljen e saj të shtatë grand slam në karrierë.
Sië edhe parashikohej, dueli për medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë ishte fantastike dhe zgjati rreth tetë minuta. Koha e rregullt prej katër minutave u mbyll pa fitues por me nga dy kartonë të verdhe për finalistet.
Në golden score, 28-vjeçarja nga Peja tregoi përvojën e madhe dhe qëndrueshmërinë duke e hedhur në dysheme italianen me një hedhje ippon.
Kelmendi e arriti finalen e dytë në karrierë në Abu Dhabi pa ndonjë vështirësi, duke e hedhur në dysheme çdo xhudiste që i doli përpara.
Rundin e parë, ajo e kaloi pa luftë, ndërsa në rundin e dytë e mundi Salimata Fofanan. Në rrethin e tretë e mposhti Anna Kazyulinan e Kazakistanit, para se ta shkatërronte Park Da Solin për një vend në gjysmëfinale.
E për ta siguruar finalen, kosovarja e mundi britaniken Chelsie Giles në gjysmëfinale.
Ndërkohë, sot gjatë ditës Kosova u përfaqësua edhe nga Nora Gjakova, në kategorinë deri në 57 kilogramë, por ajo u eliminua në rrethin e tretë, duke mbetur pa medalje.