Majlinda Kelmendi është kampione e re e Evropës, shkruan zeri.info. Xhudistja kosovare e ka fituar këtë çmim për herë të tretë në karrierë, pasi shkëlqeu në Kampionatin Evropian që po mbahet në Varshavë të Polonisë. Në finalen e madhe, Majlinda e mposhti para pak minutash rusen Alesya Kuznetsova.
Xhudistja pejane e kishte eliminuar në gjysmëfinale portugezen Joana Ramos, ndërsa paraprakisht, rrethin e parë e kishte kaluar pa luftë, në të dytin e kishte mundur britaniken Chelsie Giles, e në atë të tretë zviceranen Evelyne Tschopp. Përpos tri herë kampione e Evropës, Majlinda është dy herë kampione e botës dhe kampione olimpike. E jashtëzakonshme.
Nora Gjakova e ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të xhudos, i cili po mbahet në Poloni, shkruan zeri.info. Xhudistja kosovare në luftën e repasazhit për të bronztën e ka mposhtur bullgaren Ivelina Ilieva. Ajo e ka kaluar rrethin e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë e mposhti polaken Anna Borowska. Ndërkaq, në rrethin e tretë ajo e mundi Liveseyn, raporton zeri.info. Gjakova e ka fituar luftën përballë britanikes Bekky Livesey në çerekfinale, duke u kualifikuar në gjysmëfinale, ku u mposht nga francezja Priscilla Gneto.