Los Anxhelos Klippers dhe San Antonio Spurs mbeten skuadrat e vetme në këtë fillim sezoni të NBA që ruajnë parthyeshmërinë. Griffin është shndërruar në lojtarin me të rëndësishëm për Klippers, teksa në këtë përballje të fundit realizoi 25 pikë, dha pesë asistime si dhe kontrolloi tetë topa poshtë koshit. Po 25 pikë realizoi edhe Lillard, ndërsa MeKollum shtoi edhe 23 pikë të tjera për Blazers, që panë t’u ikte fitorja nga duart pikërisht në momentin e sinjalizimit të sirenës për fundin e ndeshjes.
Nuk di të ndalet më as Boston Seltiks, që kaloi 89–96 Milvoki Baks. 28 pikë, shtatë asistime dhe 10 rikuperime regjistroi greku Antetokounmpo për Baks, por nga ana tjetër u kundërpërgjigjen Horford dhe Irving respektivisht me 27 dhe 25 pikë.
Memfis Grizlis, i udhëhequr nga spanjolli Mark Gasol, që shënoi 25 pikë, mposhti në “FedExForum” Dallas Maverik 96–91. Konlej shtoi edhe 22 pikë të tjera për Grizlis, e po kaq pikë realizoi edhe Barnes, që pati statistikat më të mira për Maveriks.
Çikago Bulls “zhyt” në krizë të thellë Atlanta Hauks, duke iu imponuar 91–86. Në prani të më shumë se 21 mijë spektatorëve në “United Center”, spikati italiani Belinelli me 23 pikë. Në takimin e fundit të mbrëmjes Sakramento Kings u mposht në shtëpi nga Nju Orleans Pelikans 106–114, falë formës së mrekullueshme të DeMarkus Kousins, që shënoi plot 41 pikë dha gjashtë asistime dhe rikuperoi në mënyrë të pabesueshme 23 topa nën tabelë.