Mafia siciliane zhvendoset në Gjermani, trafikon tonelata drogë nga Shqipëria

Mafia italiane nuk po gjen terren në Sicili dhe ka zbuluar “treg” të ri ku të veprojë. “The Guardian” shkruan se anëtarët kryesorë të mafias siciliane kanë “emigruar” në Gjermani për të gjetur mundësi të reja për biznes në ekonominë e zezë. Sipas informatave të “The Guardian”, më 21 qershor u zhvillua një operacion i madh policor në Gjermani, ku u arrestuan 19 persona dhe u konfiskuan 4 milion Euro mallra dhe para cash. Në këtë operacion të policisë gjermane mori pjesë edhe policia italiane. Sipas autoriteteve italiane, mafia siciliane trafikonte tonelata kokainë dhe marijuanë nga Shqipëria për në Gjermani. Të ardhurat nga traku i drogës pastroheshin duke hapur kazino dhe lojëra fati. Autoritetet italiane besojnë gjithashtu se një pjesë e parave të pista janë përdorur për të blerë armë në Ballkan. Mafia italiane vepronte kryesisht në Stuttgart dhe Rottweil, që ndodhen pranë kufirit me Francën dhe Zvicrën. Hetuesit thonë se trafikantët e drogës punonin në Gjermani për familjen Mondino, pjesë e mafias siciliane në zonën e Palermos. “Truri” i trakut të drogës dhe pastrimit të parave besohet të jetë një biznesmen italian, i cili ka lindur në Gjermani dhe që zotëron dy restorante në BadenWurttemberg. Policia thotë se ai ka lidhje të forta me disa anëtarë të mafias siciliane. Sipas hetimeve, mafiozët më të famshëm sicilianë, ata të Cosa Nostra, besohet se kanë përqendruar aktivitetin kriminal në Gjermani, për shkak se sektori i ndërtimit në Itali ku janë të përfshirë shumë anëtarë të mafies, është në rënie që nga kriza financiare. Edhe mafiozët e Ndrangheta në Kalabri kanë investuar në Gjermani gjatë viteve të fundit. “Italianët kanë emigruar në Britani, SHBA dhe vende të tjera për të gjetur punë. Për fat të keq, kanë emigruar edhe shumë kriminelë. Bandat përjetuan krizën në Sicili. Shumë emigruan në Gjermani, ku gjetën punë, aktivitet kriminal dhe shumë fitimprurëse”, thotë kreu i Departamentit të Krimit Financiar në Itali.