Një prej gazetave më të lexuara në Angli, “The Mirror” ka kushtuar një artikull të posaçëm përfshirjes së shqiptarëve në trafikun e emigrantëve. “Mafia shqiptare ka gjetur një rrugë të re për trafikimin e emigrantëve në Britani, duke përdorur një port të frekuentuar spanjoll,” shkruan Mirror. Shuma që trafikantët marrin është mbi 2500 paund për person marrin refugjatë nga Ballkani, Iraku, Afganistani e Siria. Rruga që ata përdorin është qyteti i Bilbaos në Spanjë. Artikulli sqaron se hetimi i “Sunday People” zbuloi se pasi u dorëzojnë shumën e majme bosëve të mafies, emigrantëve u jepet një telefon dhe një shifër prej 700 paundësh në dorë, në mënyrë që t’ia japin trafikantëve që do të merren me shpërndarjen e tyre në Britani. Të gënjyer me premtimin për punë të jashtëligjshme në Londër, në lavazhe apo ndërtim, ata janë të pavetëdijshëm që do të përfundojnë në mëshirën e bandave. Madje një i ri shqiptar nga Peshkopia, i quajtur Ismail, i cili qëndronte sëbashku me nipin e tij në një çadër dy vendëshe, në intervistë për “Sunday People” tha: “S’kisha rrugë tjetër si të vija në Angli. E di që ka njerëz të cilët mund t’i paguash, por unë nuk kam para. Më duhet ta provoj që të shkoj atje pa para, duke trafikuar veten”. Në mesin e të ndaluarve përfshiheshin 60 irakianë, 45 afganë dhe 25 pakistanezë. Deri më tani, shkruan gazeta, 950 prej tyre erdhën nga Shqipëria. Me papunësinë e lartë në vend në mesin e të rinjve, shumë të tjerë janë emigrantë ekonomikë. Shumë hidhen nëpër kamionë në lëvizje ose fshihen nëpër trajlera të parkuar me shpresën që të mund të sigurojnë rrugën. Të tjerë ndihmohen që futen në kontejnerë, duke rrezikuar që të asfiksohen ndërkohë që ndodhen në pritje që dyert të hapen sërish, shkruan The Mirror.