Karakas, 7 prill – Presidenti i Venezuelës, Nikollas Maduro gjatë tubimit të mbajtur në Karakas, e përsëriti thirrjen e tij drejtuar opozitës për dialog, përderisa kryetari i Kuvendit popullor, Huan Guaido, i cili shpalli veten president të prëkohshëm të vendit, sërish kërkoi nga ithtarët e tij të dalin në rrugë, lajmëroi agjencia Anadolia.
Në Venezuelë, e cila po përballet me krizën më serioze politike në historinë e vet, ithtarët e Qeverisë dhe opozitës mbajtën protesta në vend.
Në dy tubime të veçanta të mbajtura në Karakas morën pjesë mijëra qytetarë të Venezuelës, nga opozita, por edhe nga ata të cilët e mbështesin Qeverinë.
Ithtarët e Maduros, me mbështetje të partisë në pushtet në Venezuelë, Partisë së socialistëve të bashkuar, sindikatave dhe organizatave joqeveritare, nga vende të ndryshme të qytetit marshuan drejt pallatit presidencial Miraflores, ku u mbajt tubim. në të cilin mori pjesë edhe presidenti venezuelas.
“E përsëris vullnetin dhe mbështetjen time në drejtim të kërkesës së negociatave, dialogut dhe marrëveshjes për të mirën dhe të ardhmen e Venezuelës”, theksoi Maduro.
Duke folur gjatë takimit të mbajtur në kryeqytetin uruguajas, Montevideo, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, Maduro i bëri thirrje presidentit të Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, presidentit të Uruguajit, Tabare Vaskez dhe presidentit të Bolivisë, Evo Morales, të jenë ndërmjetës në gjurmim të dialogut.
Maduro, gjithashtu kërkoi që presidentët e tjerë të shteteve të botës ta ngrisin zërin e tyre në mënyrë që t’i vihet fundi qëndrimit agresiv të presidentit të SHBA-së, Donald Tramp dhe kabinetit të tij kundër Venezuelës.
“Populli i Venezuelës nuk meriton aq urrejtje dhe agresion”, tha Maduro, duke shtuar se sado që të vendosen sanksione, ata do të arrijnë fitore.
Maduro foli edhe për ndërprerjet e energjisë elektrike, duke pohuar se ndërprerja e fundit ishte shkaktuar nga sulmet kibernetike nga Kolumbia dhe Kili.
Presidenti i Venezuelës theksoi se do të vazhdojnë të luftojnë kundër ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe problemeve me furnizimin me ujë dhe kërkoi nga populli të jetë i durueshëm”, informoi Anadolia.
Ithtarët e opozitës të cilët janë për planin e ri të Guaidos për demonstrata në rrugë, mbështetur nga SHBA-ja dhe i quajtur “Operacioni për liri”, marshuan nga rajonet Sukre, Baruta, Libertador dhe Çakao në Karakas, drejt tubimit të mbajtur në rajonin El Markes.
Guaido në fjalimin e tij në tubim theksoi se ky marsh, krahas protestave kundër ndërprerjes së energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, u mbajt edhe me kërkesë për dorëheqje të Qeverisë.
Guaido tha se të mërkurën do të kalojnë në fazë tjetër të “operacionit për liri”, duke iu bërë thirrje ithtarëve të opozitës për mbajtje të sërishme të demonstratave në rrugë.