Paul Pogba e ka braktisur Përfaqësuesen e Francës, pas deklaratës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se islami është gjoja burim i terrorizmit ndërkombëtar. Mesfushori i Manchester Unitedit thuhet ta ketë marrë vendimin për të hequr dorë nga përfaqësuesja pas komenteve të liderit të vendit të premten.
Thuhet se prapa vendimit të tij qëndron edhe vendimi i qeverisë franceze për ta nderuar mësuesin, i cili publikoi fotografi fyese të profetit Mohamed, të cilat e kanë hidhëruar dhe zemëruar Pogban, sipas tabloidit britanik The Sun. Kjo sipas burimeve të tabloidit britanik, pasi as Federata e Futbollit të Francës e as vetë 27-vjeçari nuk kanë komentuar rreth këtyre thashethemeve.
Kujtojmë, mësuesi Samuel Paty u sulmua rrugës për në shtëpi dhe iu hoq koka për shkak të fotografive të profetit. Presidenti Macron e përshkroi vrasjen si sulm terrorist islamik, i cili ia mori jetën mësuesit francez. “Të qenët të bashkuar dhe të palëkundur janë përgjigjet e vetme ndaj monstruozitetit të terrorizmit islamik”, kishte thënë Macron. Pogba thuhet t’i ketë vlerësuar komentet e Macronit si fyerje ndaj tij dhe ndaj myslimanëve francezë, posaçërisht duke e parë se islami është feja e dytë në Francë pas krishterimit.
Pogba, karriera e të cilit filloi në 2013 në Francë, luajti një rol kryesor në triumfin e Francës në Kupën e Botës 2018 në Rusi madje duke shënuar në finale kundër Kroacisë.