Macron njofton masa për mbrojtjen e mjedisit

Presidenti Francez Emmanuel Macron ka paraqitur një plan për të mbrojtur akullnajat dhe biodiversitetin në malet franceze. Gjatë një vizite në qytetin turistik alpin Chamonix (Shamoni’) të enjten, zoti Macron mbajti një fjalim të rëndësishëm për luftën ndaj ndryshimeve klimatike dhe ruajtjen e biodiversitetit, në inaugurimin e zyrës franceze të biodiversitetit. Ai vizitoi gjithashtu një akullnajë në tkurrje mbi Chamonix për të tërhequr vëmendjen ndaj efekteve të ngrohjes globale. Fjalimi i zotit Macron vjen një ditë pasi Agjensia Evropiane e Hapësirës publikoi imazhe satelitore të një ajsbergu të madh që u shkëput nga një akullnajë në Antarktidë.

Agjensia Evropiane e Hapësirës thotë se një ajsberg 300 kilometra katrorë u copëtua pasi u shkëput nga akullnaja Pine Island. Shkencëtarët fajësojnë temperaturat rekord të larta në kontinent, më shumë se 18 gradë celsius javën e kaluar, të cilat shkaktuan shkrirjen e shtresave të akullit përreth Polit të Jugut. Një tjetër bllok i madh akulli u shkëput nga akullnaja William dy javë më parë.

“Sasia e akullit të humbur çdo vit nga shtresa e akullit të Antarktidës u rrit të paktën gjashtëfish midis 1979 dhe 2017”, thotë Clare Nullis, e Organizatës Botërore e Meteorologjisë.

Edhe Alpet Franceze po humbasin akull. Akullnaja Mer de Glace (Mer dë Glas) sipër vendpushimit të skive Chamonix ka humbur një trashësi mesatare prej 50 metrash gjatë shekullit të 20-të. Shkencëtarët paralajmërojnë se me 3 gradë celsius të ngrohjes globale, 80% e Mer de Glace do të humbë deri në fund të këtij shekulli.

Presidenti Macron, i shoqëruar nga ministrja e mjedisit, Elisabeth Borne dhe zyrtarë lokalë, vizituan akullnajën për të tërhequr vëmendjen ndaj dëmtimit të shkaktuar prej ngrohjes globale dhe për të promovuar axhendën e tij ekologjike.

“Ajo që ne po shohim është një provë e padiskutueshme e ngrohjes globale dhe çekuilibrimit të klimës, dhe në thelb të zhvendosjes së një ekosistemi të tërë me të gjitha pasojat, të cilat na i kanë përshkruar dhe që tani janë të dukshme me sy të lirë”, tha zoti Macron.

Presidenti francez shpalli gjithashtu një plan për të mbrojtur biodiversitetin në male, i cili përfshin gjoba më të rrepta për ato që ai i quajti aktivitete malore “të papërshtatshme” në Mont Blanc, një vend i njohur turistik për alpinistët dhe skiatorët. Ai tha se gjobat mund të shkojnë nga 38 euro, në 750 – 1.500 euro për të inkurajuar vizitorët të ‘respektojnë’ malin.

“Kjo luftë për biodiversitetin është para së gjithash një luftë për mbijetesën tonë, për ushqimin tonë, aftësinë tonë për të jetuar, për t’u veshur, që të qëndrojmë të ngrohtë dhe të vazhdojmë të evoluojmë në ekosistemet në të cilët jetojmë. Kemi nevojë për këtë biodiversitet. Kontribuon në ekuilibrin e këtyre peizazheve, të botës sonë të banueshme”, tha zoti Macron.

Ai tha se u desh shumë kohë për të pranuar nevojën për të vepruar kundër ngrohjes globale dhe u shpreh se “na duhet ende të bindim disa njerëz, por mund t’ia dalim.”

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk pajtohet me shkencëtarët për ekzistencën e ngrohjes globale.(koha.mk)