Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kërkon që “Baguette”-a franceze të hyjë në listën e thesareve kulturore të UNESCO-s. “Baguette-ën tonë e ka zili e gjithë bota”, mësohet të ketë thënë ai, duke mbështetur një nismë të nisur nga Shoqata Kombëtare e Bukëpjekësve. Furrtarët francezë u frymëzuan nga suksesi i picës napolitane, e cila kaloi një vit më parë në mbrojtjen e organizmit kulturor të OKB-së. Por, përse mendojnë francezët se një gjë e tillë do të ishte vërtet e nevojshme? Ata këmbëngulin se Kombet e Bashkuara nuk duhet të listojnë vetëm emrin dhe formën e bukës së veçantë, por edhe recetën dhe përbërësit e saj. “Përsosmëria dhe ekspertiza duhet të ruhen, e për këtë arsye, ajo duhet shënuar si pjesë e kësaj trashëgimie”, deklaroi Macron. Prodhuesit e bukës artizanale në vend kanë shprehur shqetësim rreth imitimeve të saj të prodhuara masivisht. Franca ka arritur një sërë suksesesh në drejtimin e ruajtjes së traditës përmes organizmit ndërkombëtar, duke përfshirë atë të dantellave të famshme të Alencon. Britania, ndërkohë, nuk ka asnjë shënim në listën e OKB-së dhe është një prej vendeve të pakta në botë që nuk ka nënshkruar konventën “Ruajtja e trashëgimisë së paprekshme” të vitit 2003.