Shkup, 10 dhjetor – Frekuentimi i teatrove shqiptare dhe numri i spektatorëve pas çdo shfaqje apo bilanci i fundit të vitit, nuk mund të pasqyrohet i saktë në evidencat zyrtare statistikore, shkruan gazeta KOHA. Nëse i referohesh këtyre të fundit, i bie që numri i spektatorëve në Teatrin e Tetovës të mos ketë qenë më i madh se 3150 persona, ose mesatarisht për çdo shfaqje salla të jetë e mbushur në një të katërtën. Gjatë sezonit 2015/2016 numërohen 21 shfaqje të vëna në skenë, ndërsa numri i spektatorëve e rendit teatrin në fund të listës sa i takon frekuentimit nga spektatorët. Drejtori Valmir Aziri pohon të kundërtën. Sipas tij, numri i vërtetë i atyre që kanë ndjekur shfaqjet është dyfish më i madh. Po ashtu edhe i reprizave. Sipas tij, problemi më i madh është me blerjen e biletave. Thuajse askush nuk është i interesuar të blejë një biletë, duke bërë që në çdo shfaqje mesatarisht të arkëtohen jo më shumë se pesë mijë denarë.
“Është për të ardhur keq, por kjo është situata. Të gjithë mundohen të përfitojnë një biletë falas dhe ato që blihen janë aksidentale, dikush që do të kontribuojë për teatrin. Tek ne shqiptarët vetëdija nuk është si tek pjesa maqedonase, ku biletat shiten pa u dhënë premiera”, thotë për KOHA, Aziri. Duke iu referuar numrit të publikut ai thotë se luhatet nga gjashtë deri në tetë mijë persona në vit, mes të cilëve dominon kategoria e biletave falas, ftesave, shfaqjeve për persona me nevoja të veçanta, fëmijë, e të tjera. Duke mos iu referuar cilësisë së një shfaqje, një situatë e ngjashme është edhe në Teatrin Shqiptar në Shkup. Edhe pse në të dhënat statistikore ky teatër përfshihet së bashku me trupat e tjera profesioniste të Shkupit, ku totali i publikut është 130.227 persona, numri më i madh i spektatorëve është i kategorisë – biletë falas. Në këtë teatër shitjet janë minimale dhe nuk ka ndonjë dallim shumë të madh edhe kur janë vënë në skenë shfaqje të arrira artistikisht. “Shifrat e biletave të shitura janë minimale në çdo shfaqje janë minimale. Me përjashtime të rralla, blerjet e biletave janë të rralla. Mesatarisht për çdo shfaqje nuk i kalojmë 50 copë bileta të shitura. Sa i takon spektatorëve, kemi sidomos në ato dy ditët që janë falas për studentët dhe invalidët”, thonë në Teatrin e Shkupit. Për shkak të qëndrimit provizor në Teatrin e Komedisë, e për rrjedhojë edhe të reduktimit të reprizave dhe shfaqjeve të vëna në skenë nga ky teatër ka mbi dy vjet që nuk mund të krijohet një pasqyrë më e saktë e të dhënave.
Sipas informacioneve më të fundit të Entit të Statistikave, gjatë sezonit 2015-2016, mbi 233 mijë persona kanë ndjekur pjesët e vëna në skenat e teatrove në vend. Vetëm në shtatë teatrot në Shkup numri i spektatorëve është 130.227 persona, ndërsa i shfaqjeve 500. Numri i përgjithshëm i shfaqjeve të vëna në skenë, është rreth dhjetë për qind më i madh sesa një vit më parë, ndërsa numri i spektatorëve është ulur. Sa i takon teatrove amatore, numri i pjesëve teatrale është rritur me gati 60 për qind dhe në po të njëjta shifra është rritur edhe numri i spektatorëve. Karakteristike është se autorët e huaj janë më prezent në teatrot profesionistë, ndërsa te ato amatorë preferohen autorët vendas. Filarmonia, po ashtu, ka qenë një prej institucioneve aktive, me numër në rritje spektatorësh dhe koncertesh.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.