M-NAV: Dje numër rekord i fluturimeve mbi qiellin e RMV-së

Shkup, 7 korrik – Në fillim të sezonit të verës M-NAV për herë të dytë e mposhti rekordin e fluturimeve mbi qiellin e RMV-së. Herën e parë më 29 qershor të këtij viti kur ishin shënuar gjithsej 1.042 fluturime, dhe përsëri dje më 6 korrik kur ishin shënuar gjithsej 1.091 fluturime, kumtuan sot nga M-NAV.

“Si edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit, të shtunën e fundit të qershorit u tejkalua numri rekord i fluturimeve nga viti paraprak. Rekordi i deritanishëm i realizuar vitin e kaluar më 11 gusht të vitit 2018 ishte gjithsej 1.028 fluturime me çka rekordi ishte tejkaluar për 14 fluturime, ndërsa dje më 6 korrik për 63 fluturime”, thuhet në kumtesën e sotme të kompanisë.

Me këtë, theksojnë nga M-NAV, gjatë realizimit të këtyre rekordeve nuk është shënuar asnjë minutë vonesë për përdoruesit e hapësirës sonë ajrore.

“Trendi i rritjes së vazhdueshme të komunikacionit vazhdoi edhe në gjysmën e parë të vitit 2019 kur është shënuar rritje prej 18,5 për qind të komunikacionit total. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 M-NAV ka realizuar gjithsej 97.883 operacione përkundër 82.619 operacioneve në vitin 2018”, shtohet në kumtesë.

Në krahasim me vitin 2017, sipas M-NAV, rritja është 34 për qind, ndërsa në lidhje me vitin 2016 madje 59,3 për qind. Muaji me rritje më të madhe në komunikacionin total është muaji shkurt me rritje totale prej 25,7 për qind në nivel mujor në krahasim me vitin paraprak.

Trendi i rritjes së vazhdueshme në komunikacion, nga M-NAV presin që të vazhdojë edhe gjatë pjesës tjetër të vitit, gjegjësisht pritet që edhe ky rekord i vendosur të tejkalohet.

“Ruajtja e nivelit profesional dhe angazhimi i të punësuarve në M-NAV e mundësoi gjithë këtë rritje dhe kontribuoi drejtë faktit se kjo rritje është realizuar me numrin e njëjtë  të kontrollorëve operativë të fluturimeve në dhjetë vitet e fundit, por për ruajtjen e vazhdueshme të performancave me padurim i presim kolegët e rinj të cilët janë në procesin e trajnimit”, thonë nga kompania