Shkup, 17 janar – Ministri i Arsimit dhe Shkencës Pishtar Lutfiu mori pjesë në Konferencën e Vjenës organizuar nga COM-SULT me temë “Call for the future”, që u mbajt dje dhe sot në Vjenë të Austrisë. Ministri Lutfiu, siç thuhet në kumtesën e Ministrisë, ishte i ftuar në panel për të diskutuar të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me temë: The Western Balkan: “Time for the next generation”. “Vendet e Bashkimit Evropian duhet t’i kushtojnë më tepër vëmendje Ballkanit Perëndimor për të arritur sa më parë reformat që duhen plotësuar dhe se stabiliteti politik, siguria dhe mirëqenia e qytetarëve duhet të jenë prioritetet kryesore që duhet të ndiqen nga çdo qeveri e rajonit, duke u përfshirë sa më shumë në projekte të përbashkëta që kanë synim Integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat Euro-Atlantike dhe Bashkimin Evropian”, theksoi ministri Lutfiu. Në prezantimin e Ministrit Lutfiu në këtë konferencë ishin të pranishëm personalitete të larta të shteteve të Evropës dhe Ballkanit, ku pjesë e panelit ishin Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, prof. Florian Bieber, nga universiteti i Grazit, Milica Pejanovic – ish Ministrja e Mbrojtjes nga Mali I Zi, Ivan Vojvoda nga fondi gjerman Marshall në USA si dhe Laszlo Andor – ish Komisionar pranë Bashkimit Evropian. Konferenca e Vjenës, organizohet për herën e 14-të në Vjenë të Austrisë, dhe është një nga organizimet me renome botërore, në të cilën marrin pjesë personalitete eminente të politikës, nobelistë si dhe profesorë nga Universitetet më të mira botërore.