Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës sot u bë pranim-dorëzimi i detyrës mes ministrit të deritanishëm të Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu dhe ministres së sapoemëruar Renata Deskoska.
Lutfiu në konferencën e sotme për media i uroi Ministres se re të Arsimit dhe Shkencës, punë të mbarë, duke i dëshiruar asaj suksese në punë, zbatim të suksesshëm të projekteve dhe shumë suksese në funksionimin e përditshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke i ofruar kontributin dhe përvojën e tij të pa rezervë në zbatimin e projekteve të cilat janë në të mirë të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
Nga ana tjetër, ministrja e sapozgjedhur, Renata Deskoska u shpreh e gatshme për pranimin e detyrës së re si Ministre e Arsimit dhe Shkencës si dhe falënderoi Lutfiun për kontributin e dhënë gjatë mandatit të tij duke i dëshiruar suksese në karrierë.
Ministrja e re Renata Deskoska është profesoreshë pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi, Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup, ka përvojë si deputete, nënkryetare e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë dhe shef e delegacionit të Republikës së Maqedonisë në Kuvendin Parlamentar të OBSE-s.