Lumturie Axhami, 45 vjet kanarinë e këngës shqipe

Ishte vetëm 14 vjeçare kur, edhepse me vështirësi nga mosha e vogël, mori pjesë në festivalin “Kosovarja këndon” në vitin 1984. Kënga “Djemtë e Dibrës sokolat e malit” e kënduar fillimisht në këtë festival, mori çmimin e parë. Por jo vetëm, janë edhe disa çmime tjera të fituara, por ajo që kishte vlerën më të madhe, ishte se “fitoi zemrat e gjithë publikut”

Nga Arsim KOLARI

Hani i Elezit, ky vend i bukur rrëzë Karadakut emblematik, ndër breza ruan me nder emrin e tij, e kjo falë gjeneratave që rriti me atdhedashuri e bujari. Në mesin e këtyre brezave, dy emra të dashur për vendin, Xhavit e Xhevrije Axhami lindën Lumturijen, apo Lumen siç e quajnë miqtë. Lumja nuk ishte fëmija i vetëm, por ka dhe vëllain Kujtimin, e motrat Florijen, Linditën e Meritën. Kryefjala e familjes mbetet Lumja, falë talentit artistik të cilin nuk e ka të fituar, por të lindur dhe të kultivuar. Hapat e parë në këngë i hodhi në vendlindje, ku vazhdimisht ndiqte fshehurazi ushtrimet e Sh.K.A. “Sharri”. Në pranverën e vitit 1978 përfundoi festivali i Gjirokastrës, nga i cili dolën shumë këngë të bukura, këngë të cilat ajo i këndonte tërë ditën. Zëri i saj ra në veshin e xhaxhait të saj Naimit, i cili u bë shtytësi kryesor që Lumja u inkuadrua në radhët e ShKA “Sharri”.

Advertisements

Ëndrra po i realizohej, në ndërkohë që e kërkoi ekipi i Televizionit të Prishtinës i cili bënte reportazhe nga kombinati, dhe ajo u paraqit me një këngë folklorike të cilën e këndoi drejtpërdrejtë. Në vazhdim, u realizua festivali i Kaçanikut, në të cilin u zgjodh debutuesja më e mirë, atëherë si 9 vjeçare. Në vitin 1981, në Ferizaj bëheshin përgatitjet për festivalin “Kosovarja këndon” ku merr pjesë vetëm si mysafire, jashtë konkurencës për shkak të moshës së vogël. Sukseset filluan t’i radhiten në momentin që kaloi në Shoqërinë “Emin Duraku” në Shkup. Pjesëmarrja në ushtrime ishte e domosdoshme, andaj nga Hani i Elezit udhëtonte nga dy herë në javë për në Shkup. Dëshira për këngën e bukur shqipe i jepte vullnet të madh. Ishte vetëm 14 vjeçare kur, edhepse me vështirësi nga mosha e vogël, mori pjesë në festivalin “Kosovarja këndon” në vitin 1984. Kënga “Djemtë e Dibrës sokolat e malit” e kënduar fillimisht në këtë festival, mori çmimin e parë. Por jo vetëm, janë edhe disa çmime tjera të fituara, por ajo që kishte vlerën më të madhe, ishte se “fitoi zemrat e gjithë publikut”. Vlen të theksohet se në festival u thyen rregullat, sepse duartrokitjet e pandalshme e rikthyen artisten e vogël përsëri në skenë dhe kënga e këndua për së dyti.

Pasuan festivalet e tjera, si ai i Suharekës, Gjilanit, i Shkupit, festivalet mbarëkombëtare në Itali e Francë. Tashmë Lumturija nuk isha ajo vajza e vogël dhe e imët me trup, por vlerat e saj e bënin të madhe ngado që shkonte e riktheheshte me çmime e mirënjohje. Në vitin 1984 RTP realizon audio, ku ajo u përzgjodh që të bëjë albumin e parë me këngë perla shqipe. Kënga “Prej zemanit”, “Kur dola te dera”, “Kënga e Rexhës”, e të tjera, mbeten hite ndër vite. Këndohej drejtpërdrejtë nën përkujdesjen e mjeshtrit Isak Muçolli.

Me ShKA “Bajram Curri” kishin turne në mbarë Kosovën, ku pat sukses të jashtëzakonshëm. Meqë emri dhe talenti i saj u vulos nga artdashësit, i ati Xhaviti vendos që të shpërngulet familjarisht në Shkup për t’u hapur rrugë aktiviteteve dhe karrierës së saj artistike. Me ShKA “Emin Duraku”, kishin koncerte e turne të panumërta, ku vetë artistja thekson se atëherë ishin kohë të arta sepse arti mbetej art, dhe se kënga nuk këndohej për përfitime materiale.

Turnetë e realizuara zgjatnin me muaj nëpër Evropë, ku hapeshin shoqata për manifestime të ndryshme kombëtare. Kështu, në vitin 1990, erdhi fuqishëm albumi “Premtimi”, i cili karakterizohet me disa këngë, siç janë: “Kthema mua fatin tim”, “Oj lajle” etj., të cilat këndohen sot e kësaj dite.  Vijuan sukseset me albumet ndër vite: “Sokolat e Dibrës”, “Premtimi”, “Me fat Bajrami”, “Buka me shtatë kore”, “Mos ma the zemrën” dhe “Dy buzë”. Ka realizuar me dhjetra bashkëpunime me artistë të ndryshëm të shquar dhe ka edituar qindra këngë, që të gjitha të zhanrit popullor, pa i lënë anash vlerat e traditat e bukura shqiptare, sidomos ato të anës së Zajazit ku dhe është nuse. Ajo është martuar në Kërçovë me Xan Sejdinin dhe kanë dy fëmijë të edukuar e shkolluar, Aidanën e Engjëllin. Mbrëmë, në kuadër të 45 vjetorit të saj artistik u realizua koncert madhështor në Kërçovë, ku u kënduan disa nga këngët e saj më të dalluara. Në koncert morën pjesë kolegët e saj: Albina Kelmendi, Vëllezërit Dervishi, Naser Lutfiu, orkestri “Vëllezërit Ajdari”, familjarë e miq, bashkëpunëtorë dhe artdashës nga anë e kënd vendit. Emri i Lumturie Axhamit na nderon ne si komb, andaj edhe ne do e nderojmë atë me mirënjohje e duartrokitje sa të këndohet kënga e saj e bukur. (koha.mk)