Ka nisur të këndojë që e vogël, ka shumë hite dhe vazhdon të kultivojë këngën e bukur shqipe. Tashmë e martuar e nënë e tre fëmijëve, këngëtarja që me profesion është dhe ekonomiste – Lumnije Menxhiqi Shehu, vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon karrierën e saj muzikore dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar, por edhe projektet e reja që është duke punuar
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ç’vend zë muzika në jetën tënde?
Muzika është gjithçka që dua dhe kam dashtë, prandaj zë vend shumë të rëndësishëm tek unë!
KOHA: Zgjohesh me këngë në mëngjes? Hiti yt i preferuar?
Dëgjoj muzikë kur zgjohem, ajo më ngrenë diponimin që të vazhdoj me obligime që më presin gjatë ditës dhe të shumtën e rasteve jam E shoqëruar me këngët që i kam për zemër!
KOHA: Hiti yt?
Janë të shumta, por do e veçoja këngën “Still got the blues for you”, Gery Moore.
KOHA: Flitet që je duke punuar paralelisht për këngë të reja. Mund të dimë më shumë detaje rreth tyre?
E vërtetë! Jam duke punuar në këngë të reja në bashkëpunim me producent të huaj! Punët po shkojnë më ngadalë për arsye se kemi edhe angazhime të tjera krahas muzikës e sidomos bashkëpunëtorët e mi! Shpresoj qe të më realizohen ashtu siç i kam menduar!
KOHA: Jemi në fillimet në muzikë, si kanë qenë për ty duke e ditur që ke kultivuar muzikën e pastër shqipe?
Unë kam filluar te këndoj qysh si fëmijë! Këngën e pare “Muzikant e vegjël” e kam regjistruar në RTP-në e atëhershme – në moshën 7 vjeçe, pastaj kam marrë pjesë edhe në programe të ndryshme në radio dhe televizion të Prishtinës, në festivalin Akorde të Kosovës në mbrëmjen për fëmijë etj. Pastaj kam pauzuar për shkak se zëri im ishte në periudhë tranzicioni! Në moshën 16 vjeç kam marrë pjesë në festivalin ‘Akordet e Kosovës’ që përveç që sillte vlera muzikore, aty luhej live dhe këngët i këndonim live! U paraqita duet me vëllain tim Qazimin, me këngën “Daullja”, kompozitor i së cilës ishte vëllai tjetër, Mendi Mengjiqi, që është edhe autor i “Himnit te Kosovës”. Jam krenare dhe shumë falënderuese ndaj vëllezërve të mi, sidomos Mendiut i cili me bëri të mundur që të realizoj ëndrrën time! Edhe sot e kësaj dite nuk bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me vëllezërit e mi! E rritur në një familje artistësh. Patjetër që në çdo këngë që kam realizuar synimi im ka qenë dhe është që të sjellë një këngë me vlerë, dhe që këngët e mia te kenë një mesazh të bukur për këdo që i dëgjon dhe të vlerësohet sot edhe mbas shumë vitesh! Mbi të gjitha rëndësi ka që nuk është antivlerë!
KOHA: Gjithsesi, publiku është ai që jep gjykimin më të drejtë… Si ndikoni në jetën dhe perceptimi tek publiku?
Kjo pyetje i shkon më shumë publikut besoj!
KOHA: Mendon se ia “rrëmbeve” zemrat atyre me muzikë, a ke menduar për ndonjë profesion tjetër!
Po, është një kategori e njerëzve që e pëlqejnë dhe i dëgjojnë këngët e mia, mbase kënga ime kam hyrë në zemrat e tyre. Me profesion jam ekonomiste ndërsa muzika është pasioni im jetësor!
KOHA: Në shtëpi, krahas ndjenjës komode, çfarë bën?
Bëj punët e shtëpisë.
KOHA: Pasi i vendosni kyçin derën, lini jashtë saj edhe çështjet e problematikave në punë apo i merrni me vete?
Doemos duhet lënë problemet që i kemi në punë dhe në asnjë mënyrë ato mos ti bartim në shtëpi dhe anasjelltas!
KOHA: Kuzhina është një pasion tjetër i yti, të cilin jo të gjithë e njohin. Çfarë të tërheq më shumë në këndin e gatimit? Receta e preferuar?
Më pëlqen të gatuaj ushqimet tradicionale! E preferuar: Tavë Elbasani (tavë kosi).
KOHA: Cili është vendi më i bukur në botë për ty?
Prishtina është vendi më i bukur në botë!
KOHA: Hera e fundit kur ke qenë në pushime?
Në fillim të tetorit për ditëlindjen time në Venedik dhe Milano.
KOHA: Shumëkush, sidomos person publik, nuk e ka luksin e të qenit i “pagjykuar”! Vlen e njëjta gjë edhe për ty?
Një gjë që shumë pak merrem me këtë, por mendoj që: “nuk është me rëndësi a paragjykohesh, por nga kush paragjykohesh”.
KOHA: I keni qejf fëmijët? Doni një familje të madhe?
Shumë, unë kam 3 fëmijë: Vjosën, Rinën dhe Rronin! Po të isha më e re do bëja akoma!
KOHA: Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?
Janë të shumta, njëra ndër to është: “Të respektojmë dhe t’i trajtojmë të tjerët ashtu siç dëshirojmë ata të na trajtojnë neve”!
KOHA: Gjëja e preferuar që dëshiron të bësh çdo të diel?
Zakonisht të dielave bëjmë vizita te familjarët tanë, te shoqëria, nganjëherë shëtitjet në natyrë etj!
KOHA: Libri i fundit që ke lexuar?
“Kur dashuronte Suani”, Marsel Prust.
KOHA: Hera e fundit që ke qeshur aq shumë, sa të kanë dalë lot?
Jam person që qeshi shumë, edhe me një shaka më të vogël. Para 1 muaji me lot kam qesh kur kam ngatërruar (deformuar) emrin e një personi!
KOHA: Kënga që këndon në dush?
Në kuzhinë do thosha dhe nëpër shtëpi, oborr kudo, por në dush JO nuk këndoj kurrë!
KOHA: Projektet që ju presin?
Edhe kësaj radhe do bashkëpunoj me producent të huaj. Autore e këngës jam unë, ndërsa tekstin e ka bërë i ndjeri Hivzi Krasniqi! Ky është edhe teksti i fundit i tij që e ka shkruar! Shpresoj që ky projekt të lançohet në shkurt të 2020!