Në të kaluarën shumë qytetarë, por edhe fëmijë, shfrytëzonin lumin e qytetit të Tetovës për not gjatë ditëve të verës, kurse kohëve të fundit gjithnjë qëndron tabela që tregon ndalesën për not në këtë lum
Urim HASIPI
Tetovë, 27 korrik – Edhe pse është i ndaluar për not, megjithatë ujit i Lumit Shkumbin sipas ekspertëve është në kategorinë e dytë për nga cilësia. Në kategorinë e dytë ndodhet për shkak se uji ndotet gjatë rrjedhës brenda në qytet. Kategorizimi i mirë sipas mjekut Ratko Davodovski, edhe përkundër shumë mbeturinave është për faktin se lumi ka ende fuqinë e vetëpastrimit, duke pasur parasysh që në pranverë kishte një nivel mjaft të lartë uji që rridhte nëpër shtratin e lumit. “Mbeturinat e hedhura në ujërat e lumit janë pasqyrim i pakujdesisë së popullatës. Plastika e hedhur, paketimi e strukturojnë atë dhe shumë prej këtyre mbeturinave shkojnë së bashku me rrjedhën e ujit të lumit. Problemi me lumin është se këto mbeturina nuk dekompozohen. Ndotësi më i madh janë ujërat e zeza nga fshatrat e Malit të Sharrit, ku nuk ka kanalizime”, tha Davidovski.
Ai sqaron se Lumi i Shkumbinit ka një kategorizim të dytë të lartë sipas studimeve cilësore të ujërave sipërfaqësore të lumenjve. “Ekzaminimet e rregullta të ujërave sipërfaqësore të lumenjve të kryera nga Qendra për shëndet publik tregojnë se Shkumbini mbetet në kategorinë e dytë të cilësisë. Janë tetë klasa të parametrave që janë tregues për kategorizimin e cilësisë së lumenjve, ku kategoria e parë është më e mira dhe e katërta më e dobëta. Ndoshta në Lumin Shkumbin parametrat e klasave ndryshojnë, por kategorizimi kryesisht mbetet në kategorinë e dytë”, thekson Davidovski.
Sipas tij, në të ardhmen duhet që më shumë kujdes të kihet me Lumin Shkumbin sepse hidhen shumë mbetje të metalit nga automjetet të ndryshme të cilët mund të dëmtojnë florën dhe faunën në këtë lum. “Analizat tona të bëra afër Banjave të Tetovës tregojnë se uji për nga përmbajtja e oksigjenit është i klasës së parë, pra shumë i mirë, kurse në dalje të qytetit të Tetovës rezultatet janë më të këqija, pra në kategorinë e tretë. Kjo ndikon në florën dhe faunën, sidomos tek peshqit të cilët pa oksigjen nuk mund të jetojnë”, deklaroi ai.
Davidovski më tej sqaroi se uji nuk është i ndotur për sa i përket përmbajtjes mikrobiologjike. Shtrati i lumit u pastrua për herë të fundit në shtatorin e vitit 2019, si parandalim i përmbytjeve të mundshme gjatë reshjeve të mëdha, thonë nga Komuna e Tetovës. Burimet e Lumit Shkumbin ndodhen rreth 2.500 metra mbi nivelin e detit, në masivin e Malit të Sharrit. Lumi i Tetovës është dega më e madhe e Vardarit që formohet në Malin e Sharrit. Ka rrjedhën më të gjatë të ujit malor, respektivisht 29.7 kilometra nga burimi për në Tetovë.
Gjatë viteve të kaluara uji i Lumit Shkumbin ka qenë në kategorinë e tretë për shkak të ndotjes, por tashmë është në kategorinë e dytë për shkak të pastrimit, por vazhdon të jetë i ndaluar për not. Në të kaluarën shumë qytetarë, por edhe fëmijë, shfrytëzonin lumin e qytetit të Tetovës për not gjatë ditëve të verës, kurse kohëve të fundit gjithnjë qëndron tabela që tregon ndalesën për not në këtë lum. (koha.mk)