Nga Komuna e Tetovës pohojnë se angazhohen maksimalisht që të mirëmbajnë pastërtinë në Lumin Shkumbin, por kërkojnë më shumë përgjegjësi edhe nga ana e qytetarëve që të mos e shfrytëzojnë të njëjtin për të hedhur mbeturina
Urim HASIPI
Tetovë, 26 maj – Shtrati i Lumit Shkumbin vazhdon të jetë vend ku kohë pas kohe hidhen mbeturina të ndryshme, dhe kjo mund të shkaktojë probleme më të mëdha për shkak të rritjes së nivelit të ujit. Në ndërkohë, autoritetet komunale disa herë brenda vitit e pastrojnë, por si duket kjo është e pamjaftueshme. Mbeturinat zakonisht hidhen në afërsi të spitalit, por edhe në fund të qytetit. Kjo disa herë ka shkaktuar edhe vërshime nëpër pronat e qytetarëve, sidomos në lagjen e jashtëvardarit. Vitin e kaluar filloi të ndërtohet një mur mbrojtës për të evituar vërshimet e Lumit Shkumbin dhe punët janë ka fundi. Pas ndërtimi të murit mbrojtës të Lumit Shkumbin, pritet që të funksionalizohet hyrja e re drejt qendrës urgjente në Spitalin Klinik të Tetovës. Aktualisht shfrytëzohen tri hyrje për në Spitalin Klinik të Tetovës, kurse më e frekuentuar është hyrja për tek Ndihma e Shpejtë dhe repartet tjera në kuadër të Spitalit klinik të Tetovës. Dy hyrje për në spital më shumë shfrytëzohen për tek shtëpia e shëndetit. Me këtë pritet që të lehtësohet qasja deri tek qendra urgjente që do të jetë nga Ura e Gurit apo përgjatë Lumit Shkumbin.
Sipas Komunës së Tetovës, krahas rolit mbrojtës po ashtu pritet që punët të vazhdojnë edhe përgjatë rrjedhës së Lumit Shkumbin, dhe pas përfundimit të tyre shtrati i lumit të merr një pamje më të mirë. “Ky projekt do të realizohet në disa faza, ku fillimisht do të ndërtohen afër 50 metra të shtratit të lumit, edhe atë prej te Spitali klinik i qytetit nga mjetet që i ka ndarë Qeveria, respektivisht nga Ministria e Ambientit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinor. Bëhet fjalë për mure mbajtëse prej betoni, të armuara edhe atë në lartësi prej 3.5 metër, ndërsa gjithsej pritet të përfundojë si projekt me diku rreth 400 metër mure. Muret do të kenë mbështjellje me gurë si që është dhe pjesa ekzistuese, e me këtë edhe do të finalizojmë një problematikë që komuna e ka ndër vite”, deklaruan kohë më parë nga Komuna e Tetovës.
Nga ana tjetër autoritetet komunale pohojnë se ende nuk kanë ndonjë plan konkret që pas rregullimit të këtij muri të rregullojnë tërësisht shtratin e lumit me shëtitore. “Fillimisht duhet që të bëhet projekt dhe të aplikohet në fonde të jashtme ose nga shteti, por shpresojmë që në të ardhmen të kemi një investim të tillë për të ndryshuar tërësisht pamjen e shtratit të Lumit Shumbin”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Projekti i këtillë do të ndryshonte tërësisht gjendjen në këtë lum, i cili ndër vite është shndërruar më shumë në një deponi për mbeturina se sa një lum ku qytetarët do të mund të shfrytëzonin për rekreacion. Vite më parë murre mbrojtëse janë vendosur edhe në pjesën e lumit përballë stacionit policor por edhe në atë vend nuk është paraparë që të ketë ndonjë rregullim tjetër. Nga Komuna e Tetovës pohojnë se angazhohen maksimalisht që të mirëmbajnë pastërtinë në Lumin Shkumbin, por kërkojnë më shumë përgjegjësi edhe nga ana e qytetarëve që të mos e shfrytëzojnë të njëjtin për të hedhur mbeturina. (koha.mk)