Ndryshimet klimatike po bëhen një çështje e ndjeshme gjithnjë e më shumë. Në Zvicër një grup aktivistësh në mbrojtje të mjedisit kanë gjetur një mënyrë të veçantë për të protestuar kundër shkatërrimit të ekosistemit global.
Ata ngjyrosën në ngjyrë të gjelbër lumin Limmat në Zyrih, duke kërkuar që të gjithë të ngrenë zërin në mbrojtje të natyrës, florës dhe faunës. Aktivistët e Organizatës “Extinction Rebellion Zurich” thanë se ndërmorën këtë nismë për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve për kolapsin në të cilin ndodhet ekosistemi. Ata shpjeguan se lënda e hedhur në lumë nuk përbën aspak rrezik dhe është një substancë e ngjashme me kripën e detit.
Kjo organizatë ka zhvilluar aktivitete të ndryshme në mbrojtje të mjedisit si në Zvicër, edhe në vende te tjera të Evropës. Shpesh nuk kanë munguar edhe protestat dhe përplasjet me policinë.