Potpurinë me vajzën e kisha gjithmonë në mendje. Kam pasur dëshirë që ajo të merret me muzikë. Kështu falë këtij pasioni të madh për të sjellë diçka të bukur, erdhi potpuria me vajzën. Që prej atij momenti ndihem shumë e emocionuar…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Në prag festash, në atmosferën e ngrohtë që krijojnë dritat, muzika e mirë vjen një bashkëpunim mes një nëne artiste dhe së bijës. Për të na folur më tepër për këtë produksion, që ka thelluar edhe më ndjeshmëritë e saj, Lume Dakaj vjen në një rrëfim për mënyrën se si u realizua kënga me vajzën e saj, si dhe për të zbuluar rrugën e gjatë nëpër art, motivimet e saj dhe diçka më tepër përtej petkut të artistes. Lumja na bënë me dije se kur e ke me pasion atë që do mund të arrish gjithçka. I janë dashur shumë vite përkushtim, megjithatë është e lumtur që është pozicionuar mirë në atë që ka dashur të bëj gjithmonë. Muzika në fakt, është pjesë e pandashme e gjithë familjes, në të cilën harmonizohet arti me shpirtrat e bukur të tyre. Për të mësuar më shumë rreth saj, ju ftojmë të lexoni intervistën për InfraRed të gazetës KOHA që përmban mjaft ndjeshmëri dhe të jep shtysë për të besuar në ëndrra.
KOHA: Lume, në këtë fundvit ju erdhët me një “Potpuri” me vajzën tuaj Albulena Rakaj. Cila ishte shtysa fillestare, që ju çoi në realizimin e kësaj potpurie? Si u realizua? Ku u bënë xhirimet?
Potpurinë me vajzën e kisha gjithmonë në mendje. Kam pasur dëshirë që ajo të merret me muzikë. Kështu falë këtij pasioni të madh për të sjellë diçka të bukur, erdhi potpuria me vajzën. Që prej atij momenti ndihem shumë e emocionuar. Xhirime e para i bëmë te “M Production” me Mirton Xhekajn në Prishtinë. Më pas, xhirimet e dyta ishin te “Tv ARI” Zürich. Gjej rastin që të falënderoj stafin e “TV ARI”, sidomos Adem Kicaj dhe Musa Sylejmani.
KOHA: Po vajza juaj Albulena, është po aq e pasionuar pas muzikës sa nëna e saj?
Edhe Albulena është shumë e pasionuar pas muzikës. Në fakt e gjithë familja jonë e do muzikën. Vajza do të eci në gjurmët e mia.
KOHA: Me cilën nga këngët tuaja jeni më e lidhur, duke qenë se keni vite në skenë dhe keni një listë të gjatë me këngë dhe klipe?
Me të gjitha këngët jam e lidhur, po më së shumti me potpurinë, që kam realizuar me vajzën.
KOHA: Për çfarë i jeni mirënjohëse këtij rrugëtimi në muzikë dhe çfarë ka qenë për ju e vështirë ndër vite?
Rrugëtimit tim në muzikë i jam mirënjohëse për përjetimet e jashtëzakonshme dhe ndjeshmërinë e thellë. Këtë vit do të konsideroja si vështirësi stresin dhe punën, jo muzika. Familja është qetësia ime.
KOHA: Pas kaq vitesh investimi në muzikë, çfarë ende ka mbetur pa shpërblyer?
Po kam dëshirë të realizoj një baladë. Kjo më ka mbetur pa shpërblyer.
KOHA: Një karrierë e mirë është e mundur vetëm nëpërmjet…
Një karrierë e mirë është e mundur vetëm nëpërmjet zërit të bukur, punës së palodhshme dhe përkushtimit.
KOHA: Cila është tematika e këngëve që publiku juaj kërkon dhe do të dëgjojë të kënduar prej jush?
Të gjitha tematikat, në fakt. Më së shumti, këngët që i kushtohen dashurisë, të kurbetit, të kanagjeqit dhe të dasmave.
KOHA: E karakterizoni veten më shumë si femra e fortë, me karakter të hekurt apo e brishtë, shumë feminile dhe tolerante?
Si femër e fortë, me karakter të hekurt, që nuk dorëzohem asnjëherë.
KOHA: Nëse familja do të ishte një pikturë, ç’ngjyra do të përdornit?
Do të përdorja ngjyrat më të bukura, ashtu si i përdor piktori kur do të hedhë në telajo pranverën. Familja është gjëja më e shenjtë.
KOHA: Ecni me ritmin e një gruaje, nëne, artisteje të organizuar deri në detaj apo ju pëlqejnë gjërat e paplanifikuara?
Mundohem të eci me ritmin e një gruaje artiste, të organizuar dhe nuk pëlqej gjërat e paplanifikuara.
KOHA: Çfarë do të donit të zgjaste për gjithë jetën?
Do të doja që familja ime të ishte e përjetshme, po ashtu dhe zëri im.
KOHA: Lume, neve na pëlqen fjala “Faleminderit” dhe ju falënderojmë për këtë intervistë, por ju çfarë do na thoni në këtë fundvit, një mesazh një urim, një projekt të ri për 2020?
Faleminderit juve! Ishte kënaqësia ime. Uroj që ky vit t’ju sjellë dashuri, paqe në familjet tuaja dhe asnjë tragjedi në popullin tonë. Për vitin 2020 jam duke punuar një projekt të ri, që do ta zbuloj gradualisht. Besoj se do ti pëlqej adhuruesve të mi, që dua ti përshëndes dhe t’ju them se i dua shumë. Ata më japin forcë që të punoj më shumë.