Acari i sqimës
Si nje vajzë e fejume
M’i qëndis gjethet e shkrimit me oja!
Qiellit i është grisur thesi
I resh pambuku i mbledhur fushave të acarit
Mbi pllajat e zhveshura të leximit!
Nata e inspirimit numëron lehje qensh
Që s’gjetën strofull kashte a bujarie
Dhe pareshtur i ndërsehen
Një hëne në dhomën time!
E pamëshirshme era e shkrimit,
Ia vjedh qiellit çarçafët e bardhë prej telit
Dhe ngrin çdo frymë të ngrohtë pëlqimi
Shprish çdo ëndërr maceje lozonjare
Që nuk fle mbi jastëk të ngrohtë lirizmi!
Acari ndjell e shprish vargje të pa jetuara
Orteqet trandin nxitjen për strofa të ngrohta pëlqimi
Për rrugë të pa shkelura metaforash!
Avulli çajnikut mbulon shpresën e delirit
Dhe çatia më nuk pikon mbi shtegun e hirit
…të ekzibicionizmit!
Mbetet vetëm dëshira që poezia
T’u ngjasojë yjeve të bardhë e të ftohtë
Në xhamin e vogël të mërzisë
Që mengjesesh dyshimi me hukamë i shkri!
Arbaini poetik
Ulur këmbëkryq
Fryen mbi re kumtin:
“Do të vij sërish
I akullt
Si inspirim…
Pritëm, pritëm ti!”