Askush se njihte Lulin e vocërr të Migjenit, dhe askush mbase se njeh djalin i cili ditën e parë të shkollës e filloi në vend se me çantë të re, si gjithë moshatarët e tij, me një qese plasmasi, të cilën e kishe hedhur pas shpine. JO miq, në shekullin e 21 nuk do duhej të shihja e shihnim Lulin e vocërr. Dhe tjetra që pashë, një tekst me shkronja që mirëpriste nxënësit në fillimin e vitit shkollor e që ishte përplot gabime
Nga Nazim RASHIDI
Askush se njihte Lulin e vocërr të Migjenit, dhe askush mbase se njeh djalin i cili ditën e parë të shkollës e filloi në vend se me çantë të re, si gjithë moshatarët e tij, me një qese plasmasi, të cilën e kishe hedhur pas shpine. Krahët i kishte shtirë tek vendi ku zakonisht qesja mbahet me dorë dhe ecte kokë ulur. Nga dhjetëra e dhjetëra foto të fillimit të vitit shkollor mua kjo më tërhoqi vëmendjen dhe një tjetër për të cilën do flas pak më poshtë.
Pamje sa një mijë fjalë. 1. A jetojmë në shoqëri kaq të ndara mes klasash banale të pasurish dhe të varfërish? 2. A është e mundur që në mesin tonë ende të kemi Lula të vocërr në dimensione migjeniane? 3. Dhe pyetje sa ekzistenciale aq edhe politike, a nuk jemi një shtet ku duhet të kujdesemi për të varfrit? Paralelisht me këto pyetje që ngrihen veç duke parë një foto, lexoja një tekst në mediet se si të zhduket dallimi klasor dhe një përgjigje ishte duke eliminuar arsimin privat. Sipas tekstit, sugjerohej se gjithë arsimi duhej të ishte në dorë të shtetit dhe pa pagesë dhe kështu kur studentët do të bëheshin profesionistë do të përballeshin me tregun të barabartë, e jo me (para)gjykimin se nga cila shkollë vinin.
Në fakt një nismë e tillë do të vlente sepse me siguri, të paktën rrugës për në shkollë, nuk do të shihnim fëmijë me çanta të reja e ata me qese plasmasi, sepse gjithçka do të ishte falas, nga librat e deri te universiteti. E vetmja gjë që do duhej të kishin me vete do ishte dija. Po që t’i përgjigjem pyetjeve që i shtrova:
1. Po si duket po thellohet ndarja mes shtresash, ku ajo e varfra po del në sipërfaqe.
2. Thirrjet konstante për ndihmë, por dhe numri i madh i prindërve krenarë e punëtorë, por që nuk ia dalin të lidhin muajin me muaj, tregojnë se ka shumë Lula të vocërr. Aq shumë sa edhe pse jo çdo herë duken tani, por do të shfaqen më pas me përplasjet që do të sjellin në shoqëri.
3. Dhe e treta, si të përballohet kjo përplasje që do vijë e nxitur nga shumë aspekte, por baza do jetë tek moshpërndarja e drejtë e mundësive që duhet të vinë nëpërmjet marrjes së dijes në mënyrë të barabartë.
Këtu ka shumë dorë politika. S’kemi parë projekte dhe ide se si të trajtohet ky fenomen. S’di të ketë artikuluar dikush projekte dhe ide se si të ndërtohet një sistem ku arsimi të jetë i të njëjtës cilësi dhe nivel për të gjithë. Dhe mbase më e rëndësishmja, një shtet që do duhej të kujdesej edhe për të varfrit, nuk e di a ka ide dhe projekte se si të ndihmohen prindërit dhe sidomos nxënësit që mos ndihen si Luli i vocërr pranë shokëve dhe mësuesve të tyre. Në fakt kjo çështje është tejet politike. Bazike madje për partitë kur artikulojnë premtimet dhe ideologjinë e tyre. Duan një shtet ku tregu do diktojë kushtet dhe si rrjedhojë edhe dallimin mes klasave, apo një shtet që do ndërhyjë për të tentuar të krijojë një barazi shoqërore. Elementare është kjo që them në kontekste politike, por determinuese se çfarë provinience do kenë partitë. Të cilat shpesh të kaluara në komplekse jo dhe aq politike, por historike kanë frikë të artikulohen qartë dhe si rrjedhojë, edhe e mungesës së veprimit e dijes politike, nuk ndërtojnë politika që do të preknin direkt interesat jetike të njerëzve.
JO miq, në shekullin e 21 nuk do duhej të shihja e shihnim Lulin e vocërr. Dhe kjo çështje që është thelbësore jetike e politike duhet të trajtohet në vazhdimësi. Dhe tjetra që pashë, një tekst me shkronja që mirëpriste nxënësit në fillimin e vitit shkollor e që ishte përplot gabime. Ohhh, prapë e gjithë çështja lidhet tek vetvetja, sistemi, mënyra e punësimit, kontrollit, universitetet, niveli. Prapë e gjitha lidhet me atë se kush po na i mëson nxënësit, çfarë programesh kanë, dhe sa seriozisht punohet.
E di që mund të bëhen gabime gjatë shkrimit, edhe vetë i bëj, por një rresht mirëseardhës, me shkronja të mëdha, para syve të krejt mësuesve, s’kishte se si mos binte në sy. Nuk është çështja tek lapsuset, se nuk dua të jem cinik, por tek i gjithë sistemi që në vazhdimësi duke mos pasur kujdes për detajet, për profesionalizmin, për edukimin e duhur, atë që bën është se vetëm riciklon dallime të mëdha klasore që lidhen me nivelin e dijes që kanë marrë nëpër shkolla. Kjo do të thotë ri prodhimi në vazhdimësi i Lulit të vocërr vetëm se në një shekull të ri. I pa edukuar si duhet, i pa barabartë ekonomikisht, i pa ditur teknologjikisht, i pa punësueshëm në tregun e punës përplot konkurrencë, krijon riciklimin e Lulave në vazhdimësi. Dhe JO, s’do duhej të ishte kështu. Dhe kush e ka lexuar “Lulin e vocërr”, s’ka se si mos tromakset nga rrëfimi. Për të gjithë që e dinë e kanë harruar apo dhe se kanë lexuar, e keni më poshtë. Por kujdes se tullumbat e tij mund t’ju hanë!
LULI I VOCËRR
Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mirë me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap të vet. Sot gjithkush ka punët dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijët, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë herët ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet ngapak, por askuj, asnjë fjalë s’i thotë. Ecë ngadalë, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbërrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrohta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa të bukura janë! Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e këmbëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqefshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët. – Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis… Noshta, ndoshta…
Nganjiherë i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hangër mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin. (Migjeni)
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)