“Lule për Hitlerin”

21

Për Cohen-in, historia duket se gjithmonë e përsëritë veten, dhe edhe njerëzit që merren me përbuzjen e saj vetën sa e ndezin atë në aktualitet, dhe mënyra për tu shkëputur dhe çliruar prej saj është që të merremi me të tashmen

“Por, unë nuk jam i humbur

aq sa humbin edhe gjethet,

ose vazot e varrosura

Kjo kohë nuk është për mua

Do të epja vetëm dyshime”

Anti-arti i poetit dhe këngëtarit të madh Leonard Cohen në veprën e tij me poezi Lule për Hitlerin, është e qartë si drita e diellit. Thënë në fjalë të tija “synimi për të ikur nga djaloshi poet-i-artë në grumbull-jashtëqitjesh të shkrimtarit të vijës së fronit”. Kujtimet ende të freskëta të terrorit që ndodhte prej nazistëve në kampe të përqendrimit, e bëjnë këtë vepër të errët, të shëmtuar, dhe nuk lënë vend për ëmbëlsi poetike. Profesori Stephen Scobie, në përmbledhjen e librit Lule për Hitlerin shkruan se ky libër “feston karrierat e dështuara të mendjeve të shkatërruara, të ‘dështakëve të bukur’ si Aleksandër Troki, Kerenksi, po ashtu edhe Mbretëreshës Viktoria”. Cohen poezinë e ndërron prej racionales për dominim të botës e deri te mizoria e dhuna, dhe nevojës për të ikur nga kjo dhunë. Kërcimet filozofike prej banales dhe vulgares deri në ndjeshmërinë e një mistiku, e bëjnë Cohen-in mjeshtër të vargjeve.

“Mos i ha thonjtë, i thash

Mos e ha karotën

Kujdes nga lepujt

Bëhu i ëmbël

Mos rri gjithë natën sy hapur

Duke parë Shfaqjen Shumë Shumë Shumë të Vonë

Mos e bëjë ka-ka-në në uniformë”.

Sigurisht se është ironike që një poet hebre si Cohen-i t’i dedikojë një libër urrejtësit më patologjik të hebrenjve. Historia në këto poezi duket e mjegullt, dhe si arkiv i gjërave të tmerrshme që duhen lënë të vdesin, e jo të ruhen. Për Cohen-in, dhuna dhe urrejtja ekzistojnë edhe në të tashmen, dhe nuk duhet që vazhdimisht  t’i zhvarrosim nga historia.

“Historia, kjo gjilpërë

Që njerëzit i fut në gjumë

E lagur me helmin,

e gjithçkasë që këta duan të ruajnë”.

* * *

“Tani le të flejë në gjumë së bashku me historinë

skeleti i vërtetë, që kutërbon gasolinë

me të gjithë qentë e kumarxhinjtë

e të dremitën mes lulëkuqeve tona”.

Për Cohen-in, historia duket se gjithmonë e përsëritë veten, dhe edhe njerëzit që merren me përbuzjen e saj vetën sa e ndezin atë në aktualitet, dhe mënyra për tu shkëputur dhe çliruar prej saj është që të merremi me të tashmen. Populli gjerman në kokën e tij ishte i sunduar nga Hitleri, industrialistët, Goering-u, dhe retorika e racionalizimi i ministrit të propagandës Goebbels-i. Këtë të fundit e trajton në pjesën e fundit te ‘Goebbels-i braktisi Novelën dhe iu bashkua Partisë’. Aty tregon njeriun nazist, mitin e Hitlerin, por edhe mënyrën se si Goebbels-i inkurajonte atë për të përdorur metoda më shkatërrimtare për të asgjësuar popullin gjermano-hebre. Mbishkrimi në faqen e parë të librit “Lule për Hitlerin” shkruan se ‘Në kohërat më të hershme kjo do të quhej Dritë Dielli për Napoleonin, ose nëse shkojmë edhe më herët, Mure për Gjengjis Khanin’.