Emri i saj tashmë njihet nga të gjithë, gjeneratat e vjetra e kujtojnë si një nga femrat më me stil që sillte hite, por Lule Bajra nuk ndalet e vazhdon të këndojë e argëtoje shqiptarët ngado që janë me muzikën e saj të bukur shqipe. Jeton në Zvicër por këndon në gjithë diasporën e këtë e thotë edhe në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ka vite që je në skenë dhe nuk din të ndalesh?
Unë nuk do të lë këngën sepse e dua dhe është dashuria e jetës time mjekësia ime, nëse ajo më lenë mua nuk kam çfarë të bëj por për momentin nuk do të ndalem, mbi 30 vite jam në skenë dhe shpresoj të jem edhe 30 tjera (qesh).
KOHA: Ku ka qenë gjithë këtë kohë Lulja, na thuaj aktivitetet me të cilat je marrë?
Tashmë e dinë krejt se jetoj në Zvicër dhe këtu jam mjaft e angazhuar në mbrëmje e koncerte gjithandej nga jetojnë shqiptarët, me punë me obligime tjera, thjeshtë jeta këtu është shumë dinamike.
KOHA: Kush është Lulja për ato që nuk të njohin, na trego anën e panjohur tënden ndonjë sekret që deri më sot nuk e ke zbuluar?
Për ata që nuk më njohin, shumë e dashur dhe e ndjeshme, energjike sepse punoj shumë e besoj se jam nënë e mirë e Leonit 18 vjeçar, shumë të edukuar dhe të sjellshëm, jam poashtu shumë komunikative, i takoj një gjenerate të mesme dhe eci në hap me kohën edhe pse në disa raste jam konzervative, jeta nuk është e lehtë sepse të sfidon shumë por ia dal prapë me energjinë e tepruar që kam, sekrete kemi të gjithë por nëse i tregojmë nuk janë më sekrete (qesh).
KOHA: Je një kuzhiniere e mirë?
Nuk jam shumë e talentuar në kuzhinë, pasi jetoj vetëm me djalin tim e nuk është se jemi familje e madhe për atë dhe nuk ziej gjithmonë.
KOHA: Si kalon ditën Lulja pa angazhime muzikore, si është një ditë e juaja nga mëngjesi deri në mbrëmje?
Zgjohem herët shumë dhe bëhem gati për punë e pastaj shkoj në një kurs që kam nisur e më vonë bëhem gati për fitnes, ndodh që drekën dhe darkën të ha me shoqe jashtë por edhe me djalin, më pëlqen të shoh filma në kinema dhe kur kam kohë lexoj shumë. Nuk fle herët edhe pse zgjohem herët.
KOHA: Për çfarë i lutesh Zotit kur bie të flesh dhe kur zgjohesh?
Zotit kur bie të flejë i kërkoj falje për gabimet ose ndonjë mëkat që kam bërë pa vetëdije, i falënderohem që jam gjallë e shëndoshë unë dhe djali dhe për të gjitha të mirat që na ka dhënë, e në mëngjes i falënderohem që jam zgjuar, sepse miliona njerëz bien të flenë e ditën tjetër ndodh që mos zgjohen.
KOHA: Cilat janë befasitë që do sjellësh dhe si planifikon këtë vit?
Viti që shkoi ishte shumë i suksesshëm për mua se kam realizuar dy këngë të reja me klipe, një baladë dhe një këngë ritmike, isha pjesë e koncertit të madh në Londër që organizoi Granit Xhaka ku kam kënduar para mijëra shqiptarëve atje e këtë vit do sjellë një bashkëpunim të ri në trio, kënga është një hit i imi që do vijë në ripërpunim në versionin modern.
KOHA: I ke rënë pishman ndonjëherë që je marrë me muzikë?
Falënderoj Zotin që më ka dhënë talentin, unë asnjëherë nuk i kam rënë pishman që jam marrë me muzikë, e dua dhe nuk mundem pa të e nuk di kur të plakem nëse do më thërrasin për të kënduar. Gjithë stresin e javës dhe nëse kam ndonjë mërzi apo ndonjë problem e largoj përmes muzikës në fundjava.