Në politikë posaçërisht duhen studiuar mësimet e jetës së shqiponjës, sepse fitimtare bëhet ajo edhe në situata të rënda e pothuajse të pakalueshme, ndërsa ne – për të satën herë jetojmë jetën tonë politike në zinxhirë dhe as arritëm të venerojmë fuqishëm (ngase narcisë tejkrye!) njëherë e me sy shqiponje se e kemi çelësin për çdo gjë! I ulëm shqiponjat në kotec pulash vetë! Ndaj dhe lukthin e mbushim me pak, sa për të mbijetuar pula në ne!
Nga Adelina MARKU
Një të hyrë në punë sot, një koleg imi i etnisë tjetër më tha: “Qenka shumë e vështirë kur shqiponja detyroheshka të hajë bashkë në qymezin me pula?”. Për një mëngjes burokracie, kjo ishte thënia e ditës, biles do kisha thënë, thënia e vitit. Më tha se këtë thënie e kishte pat dëgjuar nga një mik i tij shqiptar e se e fliste me andje panda!
Më shtyri të mendoj! Por do hyja llugave sikur t’a kisha çuar mendimin thellë-thellë. E lash të kalojë, si shumëçka tanimë, duke e justifikuar lodhjen e mendimit tim me thënien: edhe ashtu në Planet shqiponja ka sa vjen e më pak !
Kur han bashkë fara në kotecin e pulave, në fakt njeriu humb shumë sepse bën mbijetesë, por edhe mëson shumëçka. Një dobi duhet t’a ketë kjo shoqni me pulat, sepse e duron vetë a, them e duron a, nuk e jeton, por e duron sepse në këtë qiell detyrohesh me fluturu ose me ec kështu e prapë për ti dhanë njëfarë kuptimi jetës tënde, apo! Herë lart e herë poshtë! Pra, aty në kotec të pulave mëson se njerëzit kanë halle dhe kultura të ndryshme, janë lloj lloj të edukuar, disa të paedukuar fare, disa meritorë e shumica të rastësishëm, më shumë dhemb kur zagari bën të fismin, pastaj mëson se jo secili e kupton guximin, bile rrallë nga ta e mësojnë guximin, më shumë e duan lëndimin ose hidhërimin, mëson se edhe fukarallëku të transformon porse edhe paraja dhe zbulon se në këto dy gjendje fukarenjtë, poaq si milionerët uniformohen në mendime dhe veprime, krijojnë filozofinë e fukarenjve dhe filozofinë e të pasurve . Uniformja mbyt diverzitetin ë! Kështu fillon ngulfatja. Pastaj është po ajo dilema e përjetshme se, a janë të lumtur ? Është shkollë në vete të vëzhguarit veten në kotec të pulave, sepse mëson se fukaranë e bëjnë të lumtur do gjëra të prodhuara nga vetë mendja e tij/saj, porse edhe të pasurin e bëjnë po aq të lumtur do gjëra që po një i prodhon mendja e tij/saj. Pra, e gjitha ka të bëjë me mendjen tonë! Me përzgjedhjen që e kemi bërë në jetët tona!
Për një gjë do biem dakord se shqiponja nuk iu frikësohet asnjë prej situatave të rrezikshme! As atyre që i bjen fukarallëku e as atyre që i bjen pasuria ! Po, këtë e kuptova në një emision që kishin bërë të National Geographic TV mbi jetën e shqiponjës. Një zog ky i fuqishëm që të trondit për integritetin që kallxon! Doemos që ajo, as kurrën e kurrës nuk do lejonte të hajë bukë në kotec të pulave, të merremi vesh, por simbolika më lartë është sa për të sqaruar një derexhe aktuale! Me gjasë mësimi nga jeta e saj ka të bëjë me atë që situatat e rrezikshme në jetë vijnë për t’u zbërthyer e transformuar në një platformë të re e se na duhet mësuar nga fryma e shqiponjës për t’u bërë fitimtarë sërish! Sepse, çka mund të humbasë shqiponja duke u ushqyer në kotec pulash ?! Sigurisht që palcën, integritetin! Pa të, shqiponja vdes!
Meqë më ngacmoi shqiponja sot si rrëfim edhe kjo tjetra saças më shkoi ndërmend, pra: kur shqiponja befasohet me një kërmill që e sheh të ishte ngjitur në një majë mali, i thotë: po ti, ç’ne këtu ? Si u ngjite deri këtu xhanëm ? Kërmilli i përgjigjet shkurt: duke rrëshqit e lëpirë! Pra dëgjo mik, mikesha ime, maja është relative sot, pra suksesi është relativ dhe nuk ka mistere kur ky është në pyetje. Sukses është edhe kjo e kërmillit, pak kush pyet për integritet në këtë rast! Si thashë më lartë, mendja monolite e kap njësoj edhe të pasurin edhe fukaranë ! Ka vetëm një dallim në këtë mes e që ka të bëjë me sa vizion prodhon kjo ngjitje e kërmillit dhe e shqiponjës? Sa dhe çfarë të ardhme krijon? Padyshim, njëzëri e dimë se suksesi më i mirë ka të bëjë me atë kur mëson nga gabimet. Ky do ishte ai kuptimploti ë! Pra, njëjtë si shqiponja e cila vazhdimisht lyp shtigje të reja edhe njeriu lypset me bë të njëjtën, të rikrijojë shtigje të reja sa për t’iu shmangur një fitoreje për mbijetesë! Dhe kjo më së shumti vlen për partitë tona sot të nderur/a lexues/e. Sepse, të tilla si janë katandisur, as për së afërmi nuk i ngjajnë ngjitjes së shqiponjës, por më së shumti të kërmillit dhe atë që e quajta ngjitje mbijetesë. Pra, rrafsh shqiponja ka ra në kotec pulash! E reja pothuajse lypset si me thonj ! Nevojitet që udhëheqja narcistike e partive tona të zëvendësohet me një platformë të re. E atillë që nuk do ishte e pandjeshme ndaj nevojave dhe ndjenjave të tjetrit/ës, por të ishte afirmative padyshim. Këtë mund t’a bënte opozita sot sikur të shkëputej nga narcizmi e të unifikohej sepse është një momentum lodhjeje që është shfaqur tanimë, pa adrenalinë dhe pa sfidë, i ngjan ngopjes më së shumti e jemi në nevojë të një force fuqia e së cilës do e kapërcente lodhjen e ngopjen nga dje !
Hmmm, në politikë posaçërisht duhen studiuar mësimet e jetës së shqiponjës, sepse fitimtare bëhet ajo edhe në situata të rënda e pothuajse të pakalueshme, ndërsa ne – për të satën herë jetojmë jetën tonë politike në zinxhirë dhe as arritëm të venerojmë fuqishëm (ngase narcisë tejkrye!) njëherë e me sy shqiponje se e kemi çelësin për çdo gjë!
I ulëm shqiponjat në kotec pulash vetë! Ndaj dhe lukthin e mbushim me pak, sa për të mbijetuar pula në ne!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)