Ambasadori rus i OSBE-së Aleksandër Lukasheviq me një seri qasjesh në Tuiter ka komentuar ndodhitë aktuale politike në Maqedoni, ndërsa i akuzon vendet perëndimore për përzierje në punët e brendshme të vendit dhe e përsërit qëndrimin e mëparshëm të Moskës se Marrëveshja e Prespës duhet të rishikohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Marrëveshja eventuale përfundimtare, në pajtueshmëri me paragrafin 3 të Rezolutës 845 të Këshillit të Sigurimit të KB-së do të rishikohet nga Këshilli i Sigurimit i KB-së”, thekson Lukasheviq, qëndim të cilin e përcjell edhe ambasada ruse në Shkup.
Në konteskt të zhvillimeve politike, Lukasheviq thotë se “përzierja e SHBA-së dhe vendeve tjera perëndimore në punët e brendshme të Maqedonisë shkakton kthimin akut të krizës politike në vend që nuk është kapërcyer më shumë se tre vjet”.
“Besimi publik në institucione dhe procedurat demokratike në Maqedoni janë varrosur. Referendumi dhe procedura parlamentare ishin diskredituar. Përndjekja e atyre që nuk pajtohen me politikat e qeverisë së Maqedonisë po intensifikohet. Vazhdon presioni i paparë mbi presidentin e shtetit, ndërsa u paraqitën edhe informacione se telefonat në zyrën e tij po përgjohen”, shkruan ambasadori rus në porositë në Tuiter.
Serinë e porosive e përfundon me vlerësimin se misioni i OSBE-së në Shkup ka rol të rëndësishëm në mbështetjen e procesit të harmonizimit të marrëdhënieve ndërtnike, forcimin e mirëkuptimit mes bashkësive nacionale si bazë për ruajtejn e stabilitetit dhe sigurisë në pajtueshmëri me dispozitat e Marrëveshjes kornizë të Ohrit.
Reagimet e fundit zyrtare nga Moska për ndodhitë në Maqedoni kanë qenë në fund të tetorit pas referendumit dhe hapjes së procesit të ndryshimeve kushtetuese.
Zëdhënësja e MPJ-së ruse Marija Zaharova ka hedhur poshtë akuzat e Uashingtonit se Moska është ajo që përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë. Ambasada ruse në Shkup, pastaj doli me qëndrim se Moska nuk e ndryshon qëndrimin e saj ndaj emrit kushtetues të Maqedonisë.
“Rusia e njohu Republikën e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues para më shumë se 26 vitesh dhe qëndrimin e vet nuk e ndryshon”, shkroi në Tuiter, ambasada ruse në Shkup, menjëherë pas votimit të vendimit për ndryshimet kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë për shkak të implemetimit të Marrëveshjes së Prespës.