Sulmuesi i kërkuar nga Interi, Romelu Lukaku, u tha gazetarëve se e ardhmja e tij do të zbulohet javën e ardhshme, përderisa trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, tha se klubi nuk ka marrë ende asnjë ofertë për ta shqyrtuar. Sulmuesi belg u la jashtë skuadrës për ndeshjen miqësore të sotshme të Manchester Unitedit kundër Perth Gloryt, të cilën “Djajtë e kuq” e fituan me rezultat 2:0, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Ai foli për disa gazetarë pas ndeshjes, në stadiumin Optus, dhe u pyet për situatën e tij aktuale, pas interesimit të Interit për ta transferuar atë gjatë këtij afati kalimtar të verës.
“Ju djema do të mësoni diçka javën e ardhshme”, ishte përgjigja e belgut.
Në konferencën për shtyp, trajneri Solskjaer sugjeroi se asgjë nuk kishte ndryshuar ende në situatën e Lukakus, mirëpo ia la derën e hapur Interit për ta bërë një ofertë më të mirë.
“Ka pasur shumë spekulime, por ai duhet të jetë në gjendje mjaftueshëm të mirë fizike për të mërkurën. Ai ishte duke u stërvitur me skuadrën dje, por nuk ia vlente ta rrezikojmë atë”, u shpreh Solskjaer, duke iu referuar një lëndimi të belgut.
“Do ta shohim kur të fillojë sezoni. Ne nuk kemi asnjë ofertë që jemi duke e shqyrtuar tani. Të gjitha bisedat e mia me lojtarët e mi janë konfidenciale”.
Raportohet se Interi ia ka ofruar 70 milionë euro për ta blerë Lukakun. Mirëpo, zikaltrit duan që këtë shumë ta paguajnë brenda dy apo tri vjetëve dhe një pjesë e saj të jetë në formë të bonuseve.
Në anën tjetër, Manchester Unitedi i do 80 milionë euro për belgun dhe kërkon që e gjithë pagesa të bëhet menjëherë.