Ronel Lukaku ka konfirmuar se do të braktisë Evertonin dhe nga sezoni i ardhshëm do të veshë fanellën e një ekipi tjetër anglez të futbollit. Ai nuk ka dashur të zbulojë emrin e ekipit në të cilin do të kalojë, por thuhet se bëhet fjalë për Chelsea.
“Menaxheri im dhe unë e dimë se ku do të vazhdoj karrierën, por nuk do t’ua them emrin e ekipit tim të ri. Më duhet ende pushim dhe të përgatitem, në mënyrë që të jem ende më i mirë sezonin e ardhshëm”, tha Lukaku për gazetën belge HLN.
Ai ka theksuar se dëshiron ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe Premiership. “Kjo është shumë e rëndësishme për karrierën time. Mbetja në Everton nuk ma mundëson këtë dhe në ekipin e ri mund të luftoj për këtë trofe”, tha Lukaku.
Ndryshe, në Ligën e Kampionëve përveç Chelsea, do të marrë pjesë edhe Tottenham, Manchester City dhe nëse kalon kualifikimet edhe Liverpool.