Romelu Lukaku vazhdon të jetë ëndrra e madhe e Interit për repartin e sulmit. Konfirmimi erdhi gjithashtu nga vizita e Piero Ausilio në Manchester, kësaj jave. Menaxhmenti zikaltër e ka arritur tashmë marrëveshjen me vetë lojtarin (9 milionë euro neto në sezon), i cili do të ishte gatshëm të bënte edhe ndonjë sakrificë për të mbërritur në Serie A, duke i ulur disi pretendimet financiare.
Megjithatë, vështirësitë e mëdha janë hasur në marrjen vesh me Manchester United. “Djajtë e Kuq” kërkojnë shumën e konsiderueshme prej 83 milionë eurosh për sulmuesin belg, nuk heqin dorë prej saj. Deri tani, megjithatë, Interi e ka kufizuar veten te 60 milionë euro, shumë e cila të paguhet në tri vite. Bashkë me bonuset, oferta e klubit milanez nuk i kalon 65-70 milionë euro.
Kjo shpjegon edhe deklaratat e trajnerit Solskjaer, i cili foli për mungesë ofertash (që të merren parasysh) për bomberin belg. Me qëllim që të mos kapen të papërgatitur, nëse gjërat nuk shkojnë në mënyrën e duhur,
Marotta dhe Ausilio po mendojnë për sulmues të tjerë të mundshëm. Siç raportohet nga edicioni i sotëm i “Corriere dello Sport”, përveç Dzeko (që vazhdon të jetë objektiv), zikaltërve iu pëlqen shumë edhe Zapata i Atalanta, që
sezonin e kaluar realizoi 23 gola dhe u rendit i dyti në listën e shënuesve më të mirë të Serie A. Duket e vështirë që bergamaskët të heqin dorë nga bomberi i tyre, aq më tepër që do të luajnë në Champions, vetëm nëse iu mbërrin një ofertë e bujshme financiare.
Edhe Rodrigo i Valencias pëlqehet, por ka klauzolë përfundimi kontrate 120 milionë euro. Zikaltrit besojnë se mund ta marrin sulmuesin në fjalë nga ekipi iberik për 70 milionë euro.