Interi ndodhet në formë të shkëlqyer dhe vijon të kryesojë Serie A. Sot fitoi 3-0 ndaj Genoas në “San Siro”. Romelu Lukaku realizoi golin e parë dhe dhuroi asistin te rrjeta e Darmian. Moment magjik për 27-vjeçarin, i cili foli rreth fitores dhe situatës së ekipit zikaltër pas ndeshje së sotme.
“Po rritemi, jemi të parët në renditje dhe kjo është një ndjesi shumë e mirë për ne. Nuk duhet të dorëzohemi në asnjë moment, këto lloj ndeshjesh i humbisnim sezonin e kaluar, kështu që jam shumë i lumtur për fitoren ndaj Genoas.
Janë ndeshje ku i japim sinjale rivalëve tanë, por kampionati është i gjatë. Sot kaluam një test të rëndësishëm, po rritemi nga ndeshja në ndeshje. Mund të kishim dalë pa pikë, por shënuam tre gola dhe e ruajtëm portën e paprekur.
Forma ime? Dua të përmirësohem gjithmonë, ky është mentaliteti im. Të gjithë lojtarët po rritemi, jemi të rinj dhe mund të përmirësohemi edhe më shumë. E kemi të qartë dhe çdo ditë punojmë fort për t’u bërë më të mirë dhe për të fituar ndeshjet.
Unë mendoj vetëm për të fituar, po kaloj një formë shumë të mirë. Ndodhem në një moment të bukur të karrierës, por rëndësi ka të fitojë Interi. Unë jam i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre“, përfundoi sulmuesi belg.