Luiza Gega ka regjistruar një tjetër rezultat të rëndësishëm, këtë herë në Kampionatin Europian të atletikës që po mbahet në Mynih.
Atletja shqiptare ka siguruar kualifikimin për në finale, duke u renditur e para në Baterinë 1 në 3000 metra me pengesa.
Në një garë ku sigurisht qëllimi nuk ishte për ta shkelur “pedalin e gazit” deri në fund, Gega shënoi kohën 9:30.93, rezultat që i mundësoi kalimin në finale.
Koha e Gegës ishte më e shpejta në të dyja bateritë kualifikuese. Më datë 20 gusht në orën 22:13 do jetë radha e finales së madhe, aty ku Luiza Gega është pretendente kryesore për medalje.