Zejnulla VESELI
Shkup, 23 maj – Në Maqedoni, vazhdimisht, me vite flitet se pjesëmarrja e ekonomisë joformale është në nivelin prej 30 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV), prandaj prioritet i Qeverisë së re duhet të jetë lufta informalitetit që njëherit është pengesë kryesor dhe konkurrencë jo lojale për bizneset e regjistruara, shkruan gazeta KOHA. Nga këtu odat ekonomike të Maqedonisë kërkojnë nga Qeveria e re sjelljen e disa masave për të hequr pengesat që personat që ushtrojnë ekonomi jo formale, të regjistrojnë bizneset e tyre. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) thonë se Qeveria e re duhet të jetë më e fokusuar në luftimin e informalitetit e jo të veprojnë si qeveritë e mëparshme, të cilat luftën kundër informalitetit e kishin shkruar vetëm në programet qeveritare ose e aplikuar vetëm në raste të veçanta. “Qeveria e re patjetër të jetë e fokusuar në luftimin e informalitetit në të gjithë sektorët dhe jo vetëm në ekonomi. Ne nuk mund të presim që kjo të ndodhë brenda një periudhe shumë të shkurtër. Sigurisht që për këtë do duhet të implementohen reforma shok (shock reforms), të cilat do jenë të shpejta, sigurisht edhe të dhimbshme, por edhe rezultatet do mund të ndjeheshin më shpejt”, thotë Arben Halili nga OEMVP-ja. Sipas Halilit, për reformën në ekonominë jo formale do duhet detyrimisht të përfshijnë sektorin gjyqësor pa mos neglizhuar as edhe DAP, të cilët janë institucionet kyçe për të luftuar ekonominë informale. “Ne duhet të pajtohemi edhe me një fakt tjetër se varësisht nga qëllimi zhvillimor i një shteti, edhe përqindja e pranisë së ekonomisë informale në ekonominë e përgjithshme të shtetit lejohet. Prandaj, pavarësisht premtimeve parazgjedhore apo programeve publike të qeverisë së ardhshme, ne nuk duhet të besojmë në iluzionin se ekonomia informale do luftohet pambarimisht. Me rëndësi është që të mundësohet funksionalitet normal i rregullave të ekonomisë së tregut në një treg me përmasat e tilla, siç i ka Maqedonia”, thotë për KOHA, Halili.
Edhe nga Lidhja e Odës Ekonomike të Maqedonisë (OELM) kërkojnë që Qeveria e re të mos lejojë që bizneset e regjistruara që i respektojnë ligjet dhe i plotësojnë të gjitha standardet, paguajnë të gjitha kontributet për punëtorët, ndërsa pësojnë dëme nga subjektet e paregjistruara që janë pjesë e ekonomisë joformale. “Nga Qeveria e presim kontrolle të shtuara ndaj subjekteve të paregjistruara, të luftojë konkurrencën jolojale që paraqet problemin me të madh, më të cilët po ballafaqohen bizneset e regjistruara në Maqedoni. Pikërisht ekonomia joformale që është prezent viteve të fundit ka bërë që bizneset e regjistruara të stagnojnë”, thotë Daniella Arsovska nga OLEM-ja. Profesori i ekonomisë, Nasir Selimi, vlerëson se qeveritë e deritanishme, edhe pse kanë marrë disa iniciativa për të luftuar t ekonominë jo formale, deri më sot nuk kanë dhënë ndonjë sukses konkret. ”Prandaj, Qeveria e re duhet ët aplikon disa masa drejt formalizimit të ekonomisë së zezë. Kur të gjitha shifrat zyrtare flasin për pjesëmarrje të informalitetit prej 30 për qind në BPV, është më se kuptueshëm që të merren iniciativa për formalizimin dhe përmirësimin e ekonomisë së zezë. Kjo mund të bëhet me zbatimin e gjobave ndaj bizneseve të paregjistruara, sidomos atyre që nuk kanë të deklaruar punëtorët. Njëkohësisht, lufta ndaj ekonomisë joformale mund të bëhet edhe përmes masave lehtësuese, siç janë ulja e taksave dhe tatimit mbi të ardhurat”, thotë Nasir Selimi, ekspert ekonomik.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara