Hezitimi kryesor i prokurorëve, pasi aty duhet të filloi e tërë procedura, është për shkak se, në shumicën e rasteve ku realisht ekziston gjuha e urrejtjes, janë prononcime të cilat bazohen në urrejtjen ndaj etnive tjera, respektivisht komuniteteve tjera etnike
Destan JONUZI
Shkup, 4 shkurt – Edhe përskaj shumë angazhimeve dhe madje edhe ndryshimeve ligjore, në Maqedoni me vështirësi po luftohet gjuha e urrejtjes. Edhe pse në vitin 2014 kanë hyrë në fuqi ndryshimet ligjore në Kodin Penal për gjuhën e urrejtjes, deri më sot Gjykata Penale ka shqiptuar vetëm dy dënime. Sipas të dhënave statistikore, nga miratimi i ndryshimeve ligjore e deri më tani, për gjuhë të urrejtjes janë denoncuar mbi 400 raste, ndërsa policia ka ngritur kallëzim penal vetëm për 24 raste, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, në periudhën 2014-2018, Gjykata Penale ka shqiptuar dënime me para vetëm për dy persona, edhe atë në vitin 2017.
Dy të dënuarit për përhapjen e gjuhës së urrejtjes janë dënuar sipas nenit 181 të Kodit Penal, që parasheh dënim me para ose burg deri me tre vjet, për persona të cilat fyejnë një shtet të huaj apo drejtuesit më të lartë të aty shteti. Analisti Gazmend Ajdini thotë se gjuha e urrejtjes është një dukuri më se e pranishme në shoqërinë tonë, sidomos në vitet e fundit me përhapjen e madhe të rrjeteve sociale dhe përdorimit masovik të tyre.
“Edhe pse nga aspekti formalo-juridik, në Kodin Penal ‘gjuha e urrejtjes’ është e paraparë si vepër e veçantë, me një dënim me burgim për kryerësit të veprës, është e vërtet se te ne në gishta mund të numërohen procedurat gjyqësore të bazuara në këtë vepër. Ka një vlerësim i cili këtë mundohet ta justifikon më një ‘vijë të hollë’ mes fjalës së lirë dhe gjuhës së urrejtjes, por unë mendoj se kjo nuk ka ndonjë bazë reale, duke marrë parasysh standardet dhe praktikën gjyqësore evropian”, deklaroi për gazetën KOHA, Ajdini. Sipas tij, hezitimi kryesor i prokurorëve, pasi aty duhet të filloi e tërë procedura, është për shkak se, në shumicën e rasteve ku realisht ekziston gjuha e urrejtjes, janë prononcime të cilat bazohen në urrejtjen ndaj etnive tjera, respektivisht komuniteteve tjera etnike.
“Këtu dhe nis hezitimi i prokurorëve duke vlerësuar se një procesim gjyqësor i këtyre rasteve mund të ketë implikime politike, gjë që është një shkelje flagrante e standardeve. Vlerësoj se kjo bazohet edhe në një oportunitet politik të institucioneve. Dëshmi për këtë është edhe rasti i fundit i ‘urrejtësit’ më të madh në vend, Milenkos, i cili nuk la gjë pa thënë kundër shqiptarëve, ndërsa në këtë moment është në gjyq për një shkrim kundër popullit grek. Shkrim i cili pa dyshim ishte shembull eklatant për një gjuhë të urrejtjes”, thekson Ajdini. Ndërkohë, të gjithë qytetarët që janë viktimë të gjuhës së urrejtjes, rastet e tyre mund ti denoncojnë në MPB, Prokurori, Komisionin për mbrojtje nga diskriminimi, Agjencinë për media audio dhe audiovizive, Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë – Këshilli Etikës dhe në Këshillin për Etik të Mediave. (koha.mk)