Luftë e ashpër për territore mes djemve të El Chapos dhe Rafael Caro Quinteros

68

Një luftë për territor midis karteleve rivale të drogës e ka kthyer shkretëtirën Sonoran, në Meksikë, në një fushëbetejë.

Djemtë e Joaquín “El Chapo” Guzmán po luftojnë për kontrollin e zonës me kartelin e Caborca, që udhëhiqet nga Rafael Caro Quintero, duke bërë që vrasjet të rriteshin me 28% gjatë vitit të kaluar, raporton media meksikane, Televisa .

Përplasjet e armatosura janë në rritje, veçanërisht në autostrada.

Gjatë kësaj jave, një fabrikë, dy ferma dhe 3 shtëpi në Caborca u sulmuan nga një grup i armatosur, të cilët vranë të paktën 4 persona, ndërsa i vunë zjarrin godinave.

Më shumë se 100 shoferë kamionësh e kaluan natën në qytetin Sonoyta nga frika e sulmit të grupeve kriminale në autostradën për në Caborca.

Në fillim të këtij muaji, një familje nga Arizona, duke udhëtuar për në shtëpinë e tyre të pushimit në Puerto Lobos, u grabitën.

Persona të armatosur i morën atyre gjithçka, madje edhe automjetin, i cili u gjet më vonë i braktisur.

Kryetari i bashkisë së Caborca, Librado Macías, pranon se pozicioni i zonës pranë kufirit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bënë atë një objektiv për zotërim nga bandat, të cilat luftojnë për kontrollin e drogës në veri.

“Përplasjet janë të lidhura me afërsinë që ky rajon ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është një zonë kufitare shumë e gjatë”, tha Macías.

Banderola të firmosura nga Caro Quintero janë shfaqur në vende të ndryshme të kësaj zone, duke pretenduar dominimin, ndërsa është paralajmëruar se sulmet do të vazhdojnë.

Në muajin qershor, të këtij viti, pas një përplasje të ashpër të armatosur midis dy grupeve la 12 persona të vrarë.